Kështu e komenton Faruk Statovci humbjen e Kosovës nga Suedia

21:56 | 09 Tetor 2021

Kombëtarja e Kosovës në futboll e ka pësuar edhe disfatën e katërt në kualifikimet e Kupës së Botës ‘Katar 2022’.

‘Dardanët’ janë mposhtur në udhëtim te Suedia me rezultat 3-0, në takimin e vlefshëm për xhiron e gjashtë në Grupin B.

Disfatën e kosovarëve nga suedezët e ka komentuar analisti i njohur kosovar, Faruk Statovci.

Ai ka thënë se nuk ka pritur fitore te Kosovës, teksa ka shtuar se ‘Dardanët’ janë larg kombëtareve të forta si Suedia e Spanja.

“Unë as që kam pritë që fitojmë, ndoshta humbje jo me lojë por më rezultat. Ne nuk kemi luajtur keq, por fatkeqësisht pas pranimit të golit të parë loja morri kaheje tjetër. Edhe pse në fillim të pjesës së dytë Kosova luajti më mirë, në skenë doli sulmuesi suedez, Aleksander Isak, që na i humbi shpresat për diçka më shumë. Unë mendoj se Kosova është larg në krahasim me kombëtaret e forta si ajo e Suedisë dhe Spanjës. Thjeshtë në këtë grup kualifikimi ka qenë thuajse i pamundur që nga fillimi”, deklaroi Faruk Statovci.

Pas kësaj humbje Kosova renditët e katërta në Grupin B me 4 pikë, teksa ndeshjen e radhës e luan të martën ndaj Gjeorgjisë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

Komento: