Babai i Hashim Thaçit ndjek fjalimin e Edi Ramës në Këshill të Evropës.
Teksa kryeministri Edi Rama, ka folur në Këshillin e Evropës në Strasburg, kundër raportit të Dick Marty, babai i ish-presidentit Hashim Thaçi e ka ndjekur atë direkt.
Ndërkohë Artan Hoti, bashkëluftëtar i Thaçit, në një intervistë për Euronews Albania, nga Buroja, ka treguar se si është pritur fjalimi i Ramës.
Hoti i cili e ndoqi fjalimin e kreut të qeverisë shqiptare së bashku me babanë e Thaçit, u shpreh se shqiptarët nga Kosova, Ramën kanë vëlla.
“Emocionet janë të jashtëzakonshme. Unë e falënderoj në emrin tim personal dhe në emrin e të gjithë ish-çlirimtarëve të fshatit Burojë Edi Rama. Kosovarët e kemi të gjithë vëlla Edi Ramën. Po mbështet gjithmonë ish-çlirimtarët e Kosovës. Nëse s’do ishte UÇK, Serbia nuk do ishte larguar që këtu”, ka thënë ai.
“Nga fjalimi i Ramës, më shumë më bëri përshtypje se i tregoi ndërkombëtarëve se Dick Marty bëri një shpifje ndaj UÇK-së. Edhe sot në Kosovë nuk bëhen transplante organesh. E dinë Europa dhe bota që UÇK-ja nuk ka qenë terroriste. Presim dhe e dimë që janë të pafajshëm, na kanë marrë në qafë gënjeshtrat”, theksoi ai.