Kështu mund ta festojmë Ramazanin në kohë pandemie!

09:16 | 24 April 2020

Besimtarët mysliman kanë nisur agjërimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Muaji i shenjtë në kalendarin Islam ka filluar sot, por masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19 kanë bërë që shumë myslimanë t’i praktikojnë traditat e tyre në karantinë.

Familjet, xhamitë dhe qeveritë nëpër shumë vende të botës janë duke u përgatitur që Ramazanin ta festojnë përmes internetit, shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova.

Projekti i Tendës së Ramazanit, i cili vitet e fundit ka organizuar Iftare të mëdha në mbarë Londrën – duke mbledhur qindra njerëz në vendet ikonike si Sheshi Trafalgar, Westminister Abbey dhe Wembley Stadium – tani po organizon “Iftare të Hapura” në internet për të mbajtur gjallë traditën pavarësisht situatës.

Zainab Gulamali, zëdhënësi i Këshillit Mysliman të Britanisë së Madhe, e ka vlerësuar këtë iniciativë të organizatave fetare që synojnë ta bëjnë sa më atraktiv Ramazanin në një kohë pandemie.

“Ju mund të jeni në Londër dhe të bashkëbisedoni me një folës që vërtetë ju pëlqen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Gulamali po ashtu e ka vlerësuar idenë e mbajtjes së iftareve online.

“Do të ketë njerëz që ulen rreth laptopit dhe përmes aplikacionit Zoom të bëjnë iftar se bashku, ku pastaj do të kenë mundësinë të diskutojnë për gjëra të ndryshme”.

Komento: