Kështu mund të kurseni energjinë elektrike

19:44 | 15 September 2022

Vendi ynë po vazhdon të përballet me reduktime të energjisë.

Në kohë krize, çdo kilovat i kursyer i rrymës është i vlefshëm nga amvisëria e gastronomia deri tek industritë e qendrat tregtare.

“Të fiken dritat kur nuk janë të nevojshme dhe të zëvendësohen me drita efiçiente [kursyese]”, është rekomandimi kryesor i Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike KEDS.

Kosovën e ka prekur kriza globale energjetike, e cila është përkeqësuar prej se Rusia – ndër eksportueset kryesore të gazit në botë ka nisur pushtimin e Ukrainës, në fund të shkurtit.
Furnizimet janë çrregulluar dhe çmimet janë rritur.

Çmimi i energjisë elektrike në bursën hungareze HUPX, nga ku importon Kosova, ka qenë rreth 430 euro për megavat në muajin gusht, krahasuar me 150 euro sa ka kushtuar në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Kosova, po ashtu, ka kapacitete të reduktuara për prodhim, për shkak të termocentraleve të vjetra. Gjatë muajit gusht ka pasur reduktime disaorëshe në ditë.

Si ta kurseni rrymën?

KEDS-i ka lëshuar një varg rekomandimesh për kursimin e rrymës, duke thënë se edhe hapat e vegjël do të ndihmonin në përmirësimin e situatës energjetike, para stinës së dimrit.

Përdorimi i rrobalarëses e enëlarëses gjatë tarifave të ulëta të rrymës apo me ujë të ftohtë, kursen rrymën.

Përdorimi i shkallëve në vend të ashensorit kursen po ashtu.

Për pajisjet e vjetra elektrike, që shpenzojnë rrymë më shumë, KEDS rekomandon që të zëvendësohen me modele më të reja, që janë më efiçiente.

Për ngrohjen qendrore që nuk e ka mundësinë e kufizimit të temperaturës përmes termostatit, KEDS rekomandon modifikimin e pajisjeve.

Ky veprim do të parandalonte, mes tjerash, ngrohjen e hapësirave ku nuk ka nevojë, thotë KEDS.

Rekomandimet e tjera të KEDS-it mund t’i gjeni këtu.

A keni filluar të kurseni?
Florenta Kadriu thotë se kursimi i rrymës është bërë “rregull” në familjen e saj.

“Kur të gjithë dalim nga banesa, sigurohemi që çdo gjë që funksionon me energji elektrike, ta shkyçim, përveç frigoriferit që mbetet në rrymë. Edhe atë e kemi zëvendësuar me një më efiçient”, thotë Florenta, e cila jeton në Fushë-Kosovë, pak kilometra larg Prishtinës.

Rrobalarësen dhe enëlarësen, ajo thotë se i vë në punë natën, kur rryma kushton më lirë.

“Çdoherë i ndalim edhe dritat kur nuk janë të nevojshme”, thotë Florenta, me profesion infermiere.

Ngjashëm thotë edhe Lumja, e cila jeton në Prishtinë me familjen e saj 4-anëtarëshe.

“Zakonisht, makinën e enëve e lëshoj pas orës 22:00, kur energjia elektrike është më lirë. Mundohem që edhe ushqimin ta përgatis në atë kohë, që të jetë gati për të nesërmen”, thotë ajo.

Rryma natën kushton 4 centë për kilovat më lirë sesa ditën.

Si Florenta, ashtu edhe Lumja jeton në banesë, ku e vetmja mundësi për ngrohje është me rrymë. Ajo pret që fatura e rrymës t’i rritet ndjeshëm gjatë stinës së dimrit.

Në një anketë që Radio Evropa e Lirë ka publikuar në ueb-faqen e saj me pyetjen: Me çka planifikoni të ngroheni këtë dimër?, shumica e pjesëmarrësve janë përgjigjur: me rrymë.

Sipas vlerësimeve të Institutit për Politika Zhvillimore në Kosovë (INDEP), gjatë sezonit të dimrit, 75 për qind e konsumit të rrymës shkon për ngrohje.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se mbi 50 për qind e sektorit të amvisërisë shfrytëzon drutë e zjarrit dhe peletin për ngrohje, kurse energjia elektrike më shumë shpenzohet nga sektori i biznesit dhe ai i shërbimeve.

E Qeveria?
Qeveria e Kosovës, së voni, miratoi një vendim që i obligon institucionet publike, qendrore e lokale, si dhe të gjitha ndërmarrjet publike që të jenë “racionale në konsumim të energjisë” – me fokus të veçantë te ngrohja dhe ndriçimi.

Kjo, sipas vendimit, nënkupton që të ndalet ngrohja në ato zyra apo objekte, ku nuk ka prezencë fizike, si dhe në të gjitha korridoret.

“Të sigurohet që gjatë orarit të punës, prej orës 08:00 deri në 16:00, temperatura për ngrohjen e hapësirave të jetë jo më shumë se 19 gradë; të sigurohet që pas orës 16:00 deri të nesërmen në ora 07:00, temperatura e ngrohjes të zbresë në minimum, në rastet kur është e mundshme”, thuhet në vendim.

Po sipas tij, institucionet publike duhet të ndalojnë çdo reklamë që shfrytëzon energjinë elektrike.

Sa janë efektive kursimet?
“Nëse për disa orë të pikut [të shpenzimit të rrymës] e ulim kërkesën për 5 për qind gjatë dimrit, Kosova mund të kursejë deri në 30 milionë euro”, thotë Arben Kllokoqi, ekspert i çështjeve energjetike në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë.

Ai thotë se duhet shfrytëzuar çdo mundësi për kursim.

“Nëse të gjithë konsumatorët i zëvendësojnë së paku tri poçe kryesore që i shfrytëzojnë në mbrëmje, me drita [kursyese] LED, mund të ulim importin dhe të kursejmë rreth 10-15 milionë euro vetëm gjatë dimrit”, thotë Kllokoqi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, edhe reduktimi i shfrytëzimit të ashensorit ka efekt kursimi. “Ashensori, mesatarisht për një shfrytëzim, shpenzon së paku sa një dritë për një orë”, thotë Kllokoqi.

“Ndonjë pajisje mund të lëshohet gjatë natës apo orëve të hershme të mëngjesit dhe jo gjatë mbrëmjes (bojlerët për ngrohjen e ujit, makinat larëse dhe tharëse, hekurosja, ngrohëset etj.). Nëse kjo arrihet në masë të gjerë, efekti mund të jetë i jashtëzakonshëm”, shton ai.

Komento: