Këta dy gjigant evropianë gati 8 milionë euro për Albion Rrahmanin

15:47 | 25 March 2024

Dy gjigantët evropianë Aston Villa dhe Benfica janë të gatshëm të shpenzojnë 8 milionë euro për qendërsulmuesin Albion Rrahmani.

Ylli kosovar po kalon më gjasë sezonin e fundit në Rumani, meqenëse kërkohet me patjetër në Angli dhe Portugali.

“iAMSport.ro” raporton se si Aston Villa ashtu edhe Benfica kanë shprehur gatishmëri për të paguar vlerën e 8 milionë eurove për kosovarin, që kërkohet nga Rapid Bukureshti.

Sidoqoftë, për ta fituar garën klubi i Premierligës do ta rriste ofertën në 11 milionë euro.

Sa i përket Rrahmanit ka folur edhe presidenti i Rapidit Daniel Niculae, që konfirmoi interesimin e gjigantit portugez për lojtarin mirëpo shtoi se negociatat ende s’kanë nisur.

“Kam dëgjuar pak për interesimin e Benficas, por nuk kam pasur asnjë kontakt me klubin. Ka pasur interesim edhe nga klubet tjera, e di që kanë pyetur për të por nuk e di nëse interesimi është serioz (që të paguajnë 8 milionë euro). Gjithçka varet nga situata”, tha ai për “Ojogo”.

Rrahmani kaloi te Rapidi në vitin 2023 nga Ballkani për vetëm 600 mijë euro, por tani vlera e tij është rritur dukshëm dhe në “Transfermarkt” rezulton se është 2.3 milionë euro.

Kujtojmë, kampioni i Kosovës ka një përqindje në shitjen e radhës andaj shitja e mundshme për 8 milionë euro, do t’i konvenonte shumë edhe Ballkanit.

Ndërkohë, Rrahmani momentalisht është me kombëtaren e Kosovës duke u përgatitur për përballjen ndaj Hungarisë.

Komento: