Mësohen emrat e artistëve që do të performojnë në ceremoninë e inaugurimit të Bidenit.
Lady Gaga dhe Jennifer Lopez do të performojnë në ceremoninë e inaugurimit për presidentin e ardhshëm të SHBA-së, Joe Biden.
Lady Gaga bëri fushatë për Biden gjatë zgjedhjeve, duke u paraqitur me të në prag të zgjedhjeve presidenciale nëntorin e kaluar.
Ajo do të këndojë himnin kombëtar në ceremoninë e përurimit, më 20 janar. Lopez, e cila gjithashtu mbështeti Biden vitin e kaluar, do të japë një performancë të veçantë muzikore.
Pas ceremonisë, Tom Hanks do të drejtojë një program special televiziv.
Me titull “Celebrating America”, programi 90-minutësh në kohën kryesore do të përfshijë gjithashtu muzikantët amerikanë Jon Bon Jovi, Demi Lovato, Justin Timberlake dhe Ant Clemons dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga ABC, CBS, CNN, NBC dhe MSNBC.
Komiteti përurues i Biden tha se ai “do të festonte fillimin e një udhëtimi të ri kombëtar drejt një Amerike të bashkuar dhe të tregonte qëndresën, heroizmin dhe angazhimin e unifikuar të popullit amerikan për t’u bashkuar si një komb për të shëruar dhe rindërtuar”.
Lady Gaga gjithashtu u shfaq me z. Biden në 2016 gjatë fushatës së tij për të luftuar sulmin seksual në kampus, ndërsa Lopez mori pjesë në një bisedë virtuale me të në tetor.
Kur Biden të betohet, Uashingtoni DC do të jetë ende nën një gjendje të jashtëzakonshme pasi një turmë sulmoi Kapitolin më 6 janar. Më shumë se 10 mijë trupa të Gardës Kombëtare do të jenë në qytet, me rreth 5 mijë të tjerë në gatishmëri.
Pjesëmarrja në ceremoni do të jetë “jashtëzakonisht e kufizuar” në përputhje me distancën sociale për shkak të pandemisë së koronavirusit, sipas ekipit të Biden, i cili ka nxitur amerikanët të shmangin udhëtimet në kryeqytet.
Donald Trump do ta shmangë atë pasi ka kontestuar rezultatin e zgjedhjeve, duke u bërë presidenti i parë në SHBA që anashkalon inaugurimin e pasardhësit të tij që nga viti 1869.