Këta janë tetë inspektorët e ATK-së të lidhur me politikën – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Këta janë tetë inspektorët e ATK-së të lidhur me politikën

09:16 | 03 Dhjetor 2019

Tetë inspektorë të ATK-së të lidhur me politikën.

Me kërkesë të drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës, vetëm gjatë vitit të kaluar 32 zyrtarë kanë zgjedhur punën në këtë institucion dhe kanë lënë pas politikën. Në anën tjetër, nga 20 inspektorë që janë pranuar këtë vit në ATK, tetë prej tyre kanë lidhje me politikën. Një gjë e tillë po mohohet nga ATK-ja, ndërkaq si pasojë e të hyrave jo të mjaftueshme kjo e fundit po u bie “në qafë” edhe atyre bizneseve që janë tatimpaguese të rregullta, shkruan gazeta Zëri.

Duke u bazuar në raportin e publikuar dje nga “Demokracia Plus” dhe nga rrjeti ballkanik i gazetarisë hulumtuese “Birn Kosova”, vetëm një person ka zgjedhur të mbajë pozitë politike dhe të largohet nga ky institucion. Në Komisionin për Zgjedhjen e Ankesave dhe Kontesteve janë dorëzuar gjithsej 54 ankesa nga kandidatët e pakënaqur rreth procedurës së rekrutimit në ATK.

Rushiti: ATK-ja ka adresuar vetëm 7 rekomandime

Visar Rushiti, analist i politikave në “Demokraci Plus”, duke prezantuar të gjeturat e raportit, pohoi se prej 15 rekomandimeve që ka pasur raporti i kaluar për ATK-në, shtatë prej tyre janë adresuar, pesë janë në proces të përfundimit dhe dy nuk janë marrë parasysh fare. “Janë një numër i zyrtarëve të cilët punojnë nëpër pikat të ndryshme në kuadër të ATK-së, që sipas këtij përkufizimi të ligjit bien në kundërshtim dhe në konflikt sa i përket angazhimit politik dhe punës në ATK, sepse kur ke një punë në ATK është e përkufizuar se deri ku mund të shkojë angazhimi yt politik. Nuk mund të jesh anëtar i organeve, qoftë qendrore, qoftë lokale, të një partie. Drejtori kur ka marrë shkresën nga BIRN-i ka kërkuar që të punësuarit në ATK të vendosin në mes angazhimit politik dhe të punës në ATK. Si rezultat i kësaj kemi diku 32 dorëheqje, prej tyre janë pesë zyrtarë të lartë, një person ka vendosur të vazhdojë ende angazhimin politik, kurse të tjerët kanë zgjedhur të vazhdojnë punën në ATK”.

Më tutje Rushiti tha se gjatë rekrutimit të inspektorëve të ATK-së ka pasur kandidatë që janë përzgjedhur dhe që kanë lidhje me politikën. “Gjatë vitit 2019 është bërë edhe rekrutimi i 20 inspektorëve, mirëpo procesi në fund, sipas interpretimit tonë, nuk është që ka dalë total i pastër ose ne mendojmë se janë punësuar diku tetë persona, që ne kemi pasur mundësi të bëjmë një lidhje që kanë me politikën. Për këta tetë inspektorë të punësuar, që janë identifikuar se kanë lidhje me politikën, janë publikuar shkrime në platformën ‘kallxo.com’”, tha ai.

Murtezaj mohon lidhjen me politikën të zyrtarëve të ATK-së

Këtë gjë e ka mohuar drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Myrtezaj.

Sipas tij, rekrutimi në ATK është njëra nga proceset më të suksesshme që ka ndodhur në këtë institucion. “20 inspektorë të punësuar janë pranuar gjatë këtij viti. Mirëpo vlerësimi im personal i të gjithë mekanizmave të tjerë është se është njëra nga proceset më të suksesshme që ka ndodhur në ATK. U përmend që janë tetë inspektorë që kanë lidhje me politikën. Unë me përgjegjësi të plotë them se nga gjithë inspektorët e pranuar asnjëri nga nuk ka asnjë lidhje politike. Asnjë familjar imi nuk është aty, as në shoqërinë time. Asnjë inspektor nuk është i ndërlidhur me farefisin tim, të asnjë politike që mund të ndërlidhet”.

Myrtezaj tha se pavarësisht mosekzekutimit të shpenzimeve kapitale, në vlerë rreth 447 milionë eurosh për 11 muaj, të hyrat në ATK kanë qenë më të vogla.

Zëvendësambasadori i Britanisë së Madhe Jacob Webber tha se ATK-ja, përveçqë është institucion i rëndësishëm për mbledhjen e të hyrave tatimore, është institucion kyç edhe për ruajtjen dhe rritjen e ekonomisë. “Nga raportet vendore dhe ndërkombëtare del se vlera e ekonomisë joformale në Kosovë është e lartë. Kjo dukuri është e dëmshme për sektorin privat dhe investitorët e huaj duan të trajtohen me prioritet. Mirëpo për të qenë e suksesshme në këtë luftë puna e ATK-së duhet të plotësohet edhe në politika fiskale adekuate, si dhe me sigurimin e zbatimit të ligjit nga ana e sistemit të drejtësisë. Që nga fillimi i këtij viti ne kemi mbështetur projektin që ndihmon në ngritjen e kapaciteteve hetuese të ATK-së”, u shpreh Webberi.

Gashi: Janë shqiptuar 100 mijë gjoba për bizneset

Ndërsa Kreshnik Gashi, nga rrjeti ballkanik i gazetarisë hulumtuese “Birn Kosova”, ka thënë se është sfidë puna me Administratën Tatimore të Kosovës. Sipas tij, shoqëria civile e ka për detyrë të luajë rolin e mbikëqyrësit të institucioneve. Duke folur për procesin e fillimit të monitorimit, ai pohoi se synimi ka qenë të ketë 10 deri 20 raportime gjatë vitit për shmangie tatimore. “Për fat të mirë mendoj që kemi mbërritur të edukojmë një pjesë të madhe të qytetarëve për të vazhduar të ketë raportim. Kemi pranuar direkt mbi 100 raportime për bizneset e ndryshme, që shmangin tatimet dhe nuk i paguajnë taksat e shtetit. Në bashkëpunim me ekipet e Inspektoratit dhe të Administratës Tatimore janë kryer 104 inspektime, të cilat janë filmuar prej kameramanëve tanë dhe të cilat janë transmetuar në reportazhet tona. Ndikimi direkt në identifikimin e problemit, të cilat probleme i kemi, ose shmangiet të cilat kanë qenë të bizneseve, është reflektuar me një numër të madh të gjobave. Deri tash janë afër 100 mijë euro gjoba, të cilat janë shkruar për bizneset që nuk i respektojnë rregullat tatimore”, ka thënë Gashi.

Murati: Duhen ndryshime në legjislacion

Hekuran Murati, nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se duhen ndryshime të nevojshme të legjislacionit, pasi zyrtarët publikë bëjnë raportimin e pasurisë çdo vit dhe nuk ndërmerret asgjë kundër tyre. Ai tha se ATK-ja duhet të shohë se a po e paguajnë tatimin këta të fundit. “Përveç deklarimit, një problem i madh është se te ne, në mungesë të kreativitetit edhe të efektivitetit, të hyrat, qoftë të ATK-së, por edhe të doganave, fokusohen aty ku mund të qitet rampa. Këto dhe të hyra të tjera, të dhënat personale tjera, pothuajse neglizhohen në tërësi nga ATK-ja. Kemi të hyra prej qirave, besoj është shifër neglizhuese sesa të mblidhet nga fitimi kapital e krejt kjo rrjedh qoftë prej mosedukimit të popullsisë, krijimit të barrierave për të bërë këtë deklarim. ATK-ja në mungesë të realizimit të të hyrave të mjaftueshme shkon edhe u bie në qafë edhe disa bizneseve pak më të ndershme”, ka thënë ai.

Komento: