Këta zyrtarë serb nuk mund të hynë në Kosovë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Këta zyrtarë serb nuk mund të hynë në Kosovë

10:28 | 01 Qershor 2019

Këta janë serbët në listën ‘non-grata’, që nuk mund të hyjnë në Kosovë.

Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq dhe diplomati rus ish-punonjës i UNMIK-ut, Mikhail Krasnoshchekov janë dy personat e fundit që u futën në listë të dhjetra njerëzve që Qeveria e Kosovës i ka shpallur si të ‘padëshiruar’ në Kosovë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka konfirmuar se një listë e personave të padëshiruar është bërë shumë më herët dhe kryesisht janë emrat e zyrtarëve, zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve serbë, por edhe ish-liderëve të ushtrisë serbe, prcjell lajmi.net.

Sipas mediave serbe, i pari në listën e personave të padëshiruar është kryetari i Partisë Radikale Serbe dhe i dënuar për krime lufte Vojisllav Sheshelj, i ndjekur nga gjenerali i ushtrisë serbe, Ljubisha Dikoviq, ministri i brendshëm, Nebojsha Stefanoviq dhe të mbrojtjes serbe Aleksandar Vulin, kryeministrja serbe Ana Brnabiq dhe ministri i jashtëm, Ivica Daçiq.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq është shpallur persona non-grata për shkak të deklaratave të saj të fundit se shqiptarët janë të zbritur nga mali.

Ndërsa, rusi ish-punonjës i UNMIK-ut në Kosovë është shpallur i padëshiruar pasi është arrestuar në veri të Kosovës së bashku me rreth 30 persona të tjerë të dyshuar për krim të organizuar e kontrabandë.

Përveç kësaj, Krasnoshchekov ka penguar policinë e Kosovës në zhvillimin e operacionit dhe më vonë u raportua për të se ishte pjesë e inteligjencës ruse.

Madje mbrëmë, Haradinaj në një shkrim të tijin në Facebook i ka reaguar zëdhënësit të OKB-së, Haq, duke shkruar se ish-punonjësi i tyre është spiun rus i kamufluar si punëtor i organizatës.

I njëjti kishte refuzuar të trajtohej në Kosovë për shërim dhe ka kërkuar shërimin në Beograd ku ishte vizituar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ambasadori rus në Serbi, Chepurin.

Komento: