Këtë javë, Kosova do të bëhet me ushtri

08:24 | 10 Dhjetor 2018

Formimi i Ushtisë së Kosovës, ka qenë ndër temat më të diskutuara të këtij viti dhe jo vetëm.

Këtë javë Kuvendi i Kosovës do t’i miratojë tri ligjet që e mundësojnë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, por pa ia ndërruar emrin.

Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, ka konfirmuar për “Zërin” se të premten do të miratohet Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për FSK-në dhe Projektligji për Shërbim në FSK.

Ndërkohë, të gjitha partitë parlamentare, me përjashtim të Listës Serbe, e mbështesin formimin e ushtrisë së Kosovës. “Siç është planifikuar edhe do të shkojë procedura e rregullt më tutje, në datën 14 do të miratohen ligjet”, ka deklaruar Berisha.

Kurse kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se deputetët e kësaj partie do t’i votojnë ligjet për dhënien e mandatit ushtarak FSK-së. “Kurdo që të vijë në seancë plenare në Kuvend Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje do të votojë për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të bërjes së saj ushtri e Kosovës”, ka deklaruar Kurti dje në një konferencë për medie.

Por lideri i Vetëvendosjes ka kritikuar buxhetin e vogël që është planifikuar për vitin e ardhshëm për FSK-në. Madje, sipas tij, nëse nuk ndahet buxhet shtesë për këtë çështje, atëherë ligjet do të mbesin vetëm në letër.

“Çështja është që teksti i Projektligjit në lexim të dytë do të ngelet në letër sa i përket transformimit të FSK-së nëse ne këtë nuk e shndërrojmë në buxhet shtesë dhe është për të të ardhur keq që projektbuxheti i propozuar nga Qeveria për vitin 2019 për FSK-në do të ketë vetëm 58 milionë euro e që nuk është ta zëmë as 50% e Ministrisë së Infrastrukturës”, është shprehur Kurti.

Komento: