Barcelona ishte e interesuar për Zaniolon, agjenti tregon pse italiani nuk u transferua në “Camp Nou”.
Barcelona po kërkonte të përforcohej në janar të këtij viti, pasi kishte shitur Memphis Depayn te Atletico Madrid gjatë afatit kalimtar të dimrit.
Megjithatë, gjendja e tyre financiare në fund nuk ia mundësoi të arrinte ndonjë marrëveshje.
Barça kërkoi lojtarë si Sofyan Amrabat dhe Marcelo Brozovic, dhe tani raportohet se ka pasur interesim edhe për Nicolo Zaniolon, i cili ishte duke kërkuar të largohej nga Roma pas prishjes së raporteve mes tyre.
23-vjeçari përfundoi duke u transferuar te Galatasaray, klub me të cilin nënshkroi kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2027.
Megjithatë, agjenti i tij Claudio Vigorelli zbuloi për “Relevo” se Barcelona po kërkonte të nënshkruante me italianin.
“Në janar, në Spanjë, nuk ishte e lehtë për ta sjellë atë. Situata nuk u krijua realisht. Në La Liga, tregu ishte pak i bllokuar për shkak të pagave”, tha ai.
Ai ishte në listën e Barcelonës, mund ta konfirmoj. Ata e pëlqyen atë, por për arsye ekonomike, nuk ishte një operacion i realizueshëm”, deklaroi Vigorelli.