Këtë vit nis ndërtimi i ‘Autostradës së Paqes’

16:25 | 31 January 2021

“Autostrada e Paqes”, këtë vit.

Autostrada Prishtinë – Merdare, e njohur ndryshe edhe si “Autostrada e Paqes” do të fillojë të ndërtohet në mesin e këtij viti, thotë për Radion Evropa e Lirë, ministri në detyrë i Infrastrukturës në Kosovë, Arban Abrashi.

Kjo autostradë është një nga projektet e përfshira në marrëveshjen për normalizim ekonomik të nënshkruar më 4 shtator në Uashington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Në kemi prezantuar planin e fizibilitetit te pala amerikane dhe pranë Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me ndihmën e palës amerikane, kemi aplikuar për financim”, thotë Abrashi.

“Përkundër që kemi proces zgjedhor, financimi do të aprovohet. Synojmë që në pranverë – sepse duhet të ketë edhe marrëveshje të re ndërkombëtare financiare që duhet të kalojë në kuvend – të mbyllim këtë marrëveshje, në mënyrë që të fillojnë procedurat për ndërtimin e autostradës diku në mes të këtij viti”, shton ai.

Kjo autostradë, në territorin e Kosovës është vazhdimësi e autostradës “Ibrahim Rugova”, që ka përfunduar deri në Besi, fshat ky që gjendet rreth magjistrales Prishtinë – Podujevë.

Janë edhe rreth 27 kilometra tjera që do të ndërtohen deri në Merdare, ndërkaq, kostoja e ndërtimit, sipas ministrit në detyrë, Abrashi përafërsisht është mbi 200 milionë euro.

Fizibilitet për hekurudhat Beograd-Prishtinë

Sa i përket projektit tjetër që del nga marrëveshja e Uashingtonit, ai i ndërtimit të infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port në det të thellë në Adriatik, Abrashi thotë se pasi të hartohet projekti, do të aplikohet për financim në mekanizmat financiarë ndërkombëtarë.

“Te hekurudha kemi kërkuar nga Korporata Financiare për Zhvillim e SHBA-së (DFC) të fillojë zyrtarisht të identifikojë ekipet që do të bëjnë studimin e fizibilitetit për hekurudhën nga Merdarja deri në Durrës. Për të ndihmuar këtë proces, ne kemi nënshkruar marrëveshje me Qeverinë e Shqipërisë, ku të dyja palët zotohemi që të punojmë bashkë në hartimin e fizibilitetit të këtij projekti”, thotë ai.

Autostrada Durrës – Morinë – Prishtinë – Merdare – Nish

Autostrada Durrës – Morinë – Prishtinë – Merdare – Nish është pjesë e rrjetit Bazik të Transportit në kuadër të Rrjetit Trans – Evropian të Transportit.

Kjo rrugë kalon përmes Kosovës, nga Vërmica në kufirin me Shqipërinë dhe në Merdare në kufirin me Serbinë, me një gjatësi totale prej 128 km dhe siguron qasjen e vendit në Detin Adriatik dhe në Detin e Zi, duke përmirësuar lidhjet me vendet e tjera të Ballkanit dhe Korridoret Evropiane të Transportit IV dhe X.

Projekti i Autostradës në pjesën e Kosovës, nga Morina në Prishtinë, ka përfunduar dhe është lëshuar në qarkullim.

Ndërtimi i një linje hekurudhore nga Prishtina deri në portin e Adriatikut, nga ministri në detyrë Abrashi, vlerësohet si një projekt i rëndësishëm, pasi që rrit pozitën gjeostrategjike dhe Kosova bëhet një vend transit i mallrave për Ballkan dhe Evropën Qendrore.

Për të lehtësuar zbatimin e këtyre marrëveshjeve, ministri në detyrë Abrashi, bëri të ditur se Korporata Financiare për Zhvillim e SHBA-së, së shpejti do ta ketë edhe zyrtarin e tij në Kosovë.

Sipas tij, përmes kësaj zyre do t’i jepet qasje më të madhe bizneseve të Kosovës për të prezantuar projektet dhe planet e tyre.

“Bizneset do të jenë në gjendje të ngrisin kapitalin e tyre në SHBA dhe kjo ngritje e kapitalit do të garantohet nga Qeveria e Kosovës dhe DFC-ja”, thotë Abrashi.

DFC-ja është bankë e zhvillimit të Amerikës, e cila bashkëpunon me sektorin privat duke financuar zgjidhjet e sfidave më kritike me të cilat përballet bota në zhvillim.

DFC-ja investon në sektorë duke përfshirë energjinë, kujdesin shëndetësor, infrastrukturën kritike dhe teknologjinë. DFC po ashtu siguron financim për bizneset e vogla dhe gratë sipërmarrëse, me qëllim krijimin e vendeve të punës në tregjet në zhvillim.

Vonesa në realizmin e projekteve

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), do të ofrojë mbështetje për zbatimin e projekteve që kanë të bëjnë me sektorin privat.

Në fillim t këtij viti, OEK-u dhe DFC-ja janë dakorduar të identifikojnë projektet e para që mund të financohen nga kjo korporatë zhvillimore.

Kosova dhe SHBA-ja zotohen për zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit
Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi thotë për Radion Evropa e Lirë, se janë në diskutim me stafin e Korporatës Financiare për Zhvillim e SHBA-së për të parë se cilat projekte të sektorit privat mund të financohen.

“Ka disa fusha, ka interes te fusha e energjisë, turizmi, në përgjithësi ka interes te projektet që mund të gjenerojnë eksport dhe vende pune”, thotë Rukiqi.

InfografikëLidhjet infrastrukturore Kosovë-Serbi

Por, realizmi i projekteve, shton Rukiqi, do të vonohet për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt si dhe nga jostabiliteti politik në Kosovë.

Ndryshe, me realizimin e këtyre projekteve, siç janë prononcuar liderët politikë në Kosovë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të hapen shumë vende pune, duke mundësuar uljen e nivelit të lartë të papunësisë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çdo vit në tregun e punës hyjnë deri në 25 mijë persona, të gjithë të gjeneratës 18 vjeç e më lart. Sipas të dhënave të po kësaj agjencie, shkalla e papunësisë është rreth 30 për qind.

Komento: