Këto gjëra duhet t’i bëni kur të riktheheni në shtëpinë e vërshuar

11:52 | 26 January 2023

Gjërat që duhet të bëni kur të riktheheni në shtëpinë e vërshuar.

Dysheme të ngritura, divane të lagura, libra që pikin, kafshë shtëpiake duke notuar mbi ujë në oborre…

Ky mund të jetë përshkrimi më i vogël i një shtëpie të sapovërshuar nga uji.

Në dekadën e fundit, Kosova është përballur të paktën dhjetë herë me vërshime, si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.

Dëmet kanë qenë evidente, qoftë nëpër ekonomi familjare, ashtu edhe në ato biznesore.

Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjes së paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave në Kosovë.

Orët e para janë kritike

Pamjet e shtëpive pas vërshimeve mund të paralizojnë për pak aftësinë e pronarëve për të vepruar.

E në fakt, vendimet duhet marrë shpejt.

Pronarët e secilës shtëpi të vërshuar, duhet ta kenë parasysh që ambienti mund të jetë kontaminuar me myk dhe ujëra të zeza, duke rritur rreziqet për sëmundje.

Qendra amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve beson se myku mund të nisë të formohet 24 deri në 48 orët e para pas vërshimeve.

Mos i përdorni pajisjet elektrike!

Ndezja e ndonjë pajisjeje elektrike nuk duhet të ndodhë KURRË, sa ambienti të jetë me ujë.

Kontrollimi i sistemit elektrik të një shtëpie nga një profesionist, duhet të ketë prioritet.

Fotografojeni në hollësi ambientin

Pavarësisht nëse planifikoni të kërkoni vlerësim të dëmeve, ju mjafton telefoni personal për të bërë sa më shumë fotografi dhe video të ambienteve të vërshuara, si brenda, ashtu edhe jashtë shtëpisë.

Nuk i dihet, ndoshta ju duhen dikur.

Pasi të fotografoni gjithçka, nisni punën duke hedhur pajisje që mund të mbledhin myk dhe nuk mund të përdoren më: veshjet nëpër tokë, jastëkët, qeset prej letre.

Çfarë duhet të vishni?

Agjencia amerikane për Mbrojtje të Ambientit sugjeron që të gjithë personat që marrin pjesë në pastrim të kenë dorëza, pantallona dhe këpucë të forta gome.

Preferohet që të vendosni maskë dhe syze për të shmangur kontaktin me pluhurin dhe copëzat tjera që mund të jenë në ajër.

Ekspertët këshillojnë që pastrimi të nisë gjatë ditës, ashtu që të mos ketë nevojë për drita shtesë.

Nëse ju duhet ndonjë formë ndriçimi, mund të përdorni dritat me bateri, qirinjtë apo llambat e dorës.

Nëse nuk keni arritur të hyni disa ditë në atë shtëpi, preferohet të hapni të gjitha dritaret 30 minuta para se nisni procedurat e pastrimit.

Hidhni ushqimet e pasigurta

Menjëherë pas hapjes së shtëpisë dhe kontrollimit të sistemit elektrik, është mirë që krahas gjësendeve tjera, të hidhen të gjitha ushqimet që i kanë prekur ujërat.

Mos harroni që edhe ushqimet në frigorifer mund të jenë prishur si pasojë e ndaljes potenciale të rrymës.

Ndonëse për disa ditë ato ushqime edhe mund të duken në formë të mirë, rreziku nga kontaminimi është i lartë.

Gjithmonë duhet ndjekur udhëzimet e autoriteteve lokale nëse uji për pije është i sigurt për përdorim – për pije, larje duarsh, dhëmbësh, përgatitje të ushqimit.

Në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) publikon rregullisht udhëzime për situatën me ujë apo aspekte tjera që lidhen me shëndetin, pas vërshimeve apo fatkeqësive tjera.

Dokumentet e rëndësishme vendosini në ngrirje të thellë
Nëse ndonjë dokument i rëndësishëm është lagur apo dëmtuar, mirë është që atë ta fusni në ngrirje të thellë. Ky proces mund të parandalojë dëmtimin e letrës, derisa të keni më shumë kohë për t’u marrë me të.

Procesi i tharjes

Nëse keni ventilatorë apo kondicionerë, është mirë t’i mbani të lëshuar për kohë të gjatë – pasi të keni kontrolluar sistemin elektrik.

Këto pajisje ndihmojnë për tharje më të shpejtë të ambientit dhe me raste mund të luftojnë përhapjen e mëtejme të mykut.

Pasi të keni hequr gjërat dhe ushqimet e papërdorshme, të keni ajrosur ambientin – nëse ju lejon moti – mund të filloni pastrimin me ujë dhe detergjent.

Qendra amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve sugjeron që të mos përzihen asnjëherë zbardhuesit me amoniak, sepse nga këto substanca mund të krijohen avuj toksikë

Pastrojeni të gjithë mykun para se t’i lyeni muret, në të kundërtën ai do të vazhdojë të rritet.

Nëse mendoni se nuk mund ta përballoni rrëmujën e krijuar dhe keni mundësi financiare, nuk është ide e keqe që të angazhoni ndonjë kompani profesionale për pastrim të shtëpisë nga myku dhe bakteret tjera.

Nëse pastrimet do t’i kryeni vetë, bëni mirë që pas pastrimit të bëni dush dhe t’i ndërroni të gjitha rrobat.

Ky hap do t’iu ndihmojë që të shmangni bartjen e mykut dhe baktereve tjera në ambientet ku jeni duke jetuar përkohësisht.

Komento: