
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim që të bëhet rinumërimi i plotë i votave në 10 komuna të Kosovës, pas gjetjeve për mospërputhje mes votave të numëruara dhe atyre të evidentuara në fletëvotime gjatë zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Sipas KQZ-së, rinumërimi 100 për qind do të realizohet në komunat: Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug. Vendimi është marrë pas raportit të Sekretariatit të KQZ-së, i cili gjatë kontrollit të videoincizimeve në Qendrat Komunale të Numërimit kishte evidentuar parregullsi dhe mospërputhje të dukshme në numërimin e votave të kandidatëve.
KQZ ka bërë të ditur se verifikimi fillestar është kryer në 2 për qind të vendvotimeve në nivel vendi, ku nga 52 vendvotime të kontrolluara, në 33 prej tyre janë konstatuar mospërputhje mes rezultateve të numëruara dhe fletëvotimeve. Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka paralajmëruar se në rast se pas rinumërimit vërtetohen manipulime me votat e kandidatëve, rastet do t’i dërgohen organeve kompetente, duke përfshirë edhe anëtarët e ekipeve të numërimit. Procesi i rinumërimit do të zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe nis sot, më 13 janar, në orën 18:00./Telegrafi.