13 shtete të ndaluara për kosovarët.
Kosovarët e kanë të ndaluar hyrjen në Indi e Rusi. Ndalesa të njëjta kanë edhe 11 shtete të tjera ku nuk mund të shkohet me pasaportën e republikës më të re të Evropës, e as të kalohet tranzit nëpër territorin e tyre.
Këtë e ka konfirmuar Adem Sopaj, pas gati 7 muaj hulumtimi të listës me rreth 200 shtete të botës ku mund dhe nuk mund të udhëtohet.
“Ato të dhëna i kam marrë duke ju shkruar e-mail ministrive të ndryshme të botës, i kam shkruar ekipeve teknike të portaleve e-visa, duke i pyetur se a gjendet shteti i Kosovës në portalet e tyre, shumë të dhëna i kam marrë edhe prej shokëve e të afërmeve që kanë udhëtuar në ato vende” tha i riu nga Ferizaj.
Ai tregoi se pati raste kur mori përgjigje brenda pak orësh e kishte edhe të atilla që nuk kthyen fare.
“Shtete që më kanë kthy përgjigje më së shpejti kanë qenë të lindjes së mesme, të Afrikës Veriore, por ka pasur edhe shtete që nuk janë përgjigje që më është dashtë vetë ta zbuloj, si India” u shpreh tutje Sopaj.
Kështu i rezultoi që në 68 shtete mund të udhëtohet me vizë elektronike, me marrjen e saj në mbërritje, apo pa vizë fare. Ka edhe shtete, jashtë kontinentin të Evropës, që nuk e kanë njohur Kosovën, por që lejojnë hyrjen në territorin e tyre me vizë Schengen apo te Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Derisa tregon se cili ishte qëllimi i hulumtimit.
“Si atdhedashuri ndaj vendit tim, të ju tregoj që pasaporta jonë ka vlerë, edhe pse të vogël në krahasim me rajonin, por relativisht mesatare në krahasim e botën”.
Të dhënat që Sopaj i posedon nuk gjenden në webfaqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme, andaj ky ia dërgoi ato këtij dikasteri të hënën dhe është në pritje të një përgjigje. Derisa është duke punuar që ta përditësojë listën edhe me disa shtete që konsiderohen zona të rrezikshme për udhëtim./Klankosova