Këto janë arsyet pse u shkarkua Nenad Rikalo

15:04 | 02 Shkurt 2019

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural është shkarkuar sot nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Njëri nga ministrat përmes të cilit Partia Socialdemokrate (PSD) zgjodhi ta kushtëzojë qeverinë Haradinaj në mënyrë që të miratohej buxheti për vitin 2019, ishte Nenad Rikalo – i shkarkuar sot nga pozita e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Ish-ministri që vjen nga radhët e Listës Serbe që nga ushtrimi i pozitës të tij si ministër është ballafaquar me akuza të shumëta.

Është akuzuar për krime lufte nga banorët e lagjes “Dardania”, të cilët pretendonin se Rikalo i kishte torturuar banorët e kësaj lagjeje gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 1998-99.

Prokuroria Speciale kishte filluar hetimet ndaj Rikalos në muajin shtator të vitit të kaluar, duke i marrë për bazë deklaratat e banorëve të Dardanisë, gjë që në përfundim doli që nuk ka prova të mjaftueshme për implementim të veprës penale për krime luftë në Kosovë. Rikalo gjithashtu kishte marrë një vendim klientelist gjatë ushtrimit të detyrës si ministër i Bujqësisë.

Ai e kishte hequr nga detyra kryeshefin ekzekutiv të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), Elhami Hajdari, pasi kishte dështuar ta bindte që jashtëligjshëm t’i përcilleshin mbi 80 mijë euro një kompanie që ishte e përfshirë bashkëshortja e tij.

Kompania në fjalë ishte “Ekstra Fruit Fillings” me bazë në Prizren, me të cilën bashkëpunonte Biljana Rikalo, bashkëshorte e këtij ministri serb, shkruan Insajderi.

Rikalo ka qenë koordinator i Srpskas për zgjedhjet në veri dhe në mbarë Kosovën. Ai asnjëherë nuk është kursyer nga deklaratat nacionaliste serbe.

Gjatë vizitës së Marko Gjuriq i kishte bërë Kosovës në mars të vitit të kaluar, i cili u arrestua pasi nuk respektoi ndalesën e Kosovës, Rikallo kishte marrë pjesë ne takimin e zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë me qytetarët e Mitrovicës.

Komento: