FFK nis me ndarjen e fondeve emergjente, këto janë ekipet që përfituan deri më tani.
”Federata e Futbollit e Kosovës gjithmonë është treguar transparente dhe do të vazhdojë të jetë e tillë edhe në të ardhmen. Duke pasur parasysh se tremujori i parë i këtij viti na zuri me pandeminë Covid-19, e shohim të arsyeshme që nëpërmjet kësaj komunikate ta njoftojmë opinionin me atë çfarë është realizuar nga KE i FFK-së”, thuhet në njoftimin e FFK-së për ndarjen e fondeve emergjente.
Fillimisht urojmë që të gjithë të janë mirë dhe ta kalojnë pa probleme këtë periudhë të pandemisë, e cila pa dyshim na ka vendosur në pozitë jashtëzakonisht të rëndë, në radhë të parë në aspektin shëndetësor, por natyrisht edhe në pengimin e zhvillimit të futbollit tonë. Përkundër këtij virusi të rrezikshëm falë Zotit deri më tash nuk e kemi asnjë futbollist dhe asnjë anëtar të komunitetit të futbollit të prekur nga ky virus.
Ne ndjejmë keqardhje që jemi në këtë gjendje ku e kemi të pamundur zhvillimin e veprimtarisë sonë, por situatë të tillë po kalojnë po thuajse të gjitha vendet e botës.
Pa dyshim këtë gjendje më se keqi po e përjetojnë futbollistët, klubet dhe organet e ndeshjeve të cilët nuk po munden të zhvillojnë aktivitetin e tyre, e madje as stërvitjet, por sugjerimi është që t’i respektojmë të gjitha rregullat e dhëna nga organet përkatëse të institucioneve tona, prandaj na duhet edhe pak durim derisa të kthehemi në realitet dhe në fushat tona të blerta.
Në këtë periudhë tremujore si KE i FFK-së kemi bërë projekte dhe marrëveshje të shumta në kuadër të zhvillimit të futbollit tonë, të cilat ua paraqesim në vazhdim:
Marrëveshjet e arritura
-Është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit me Bankën Qendrore të Kosovës.
-Është nënshkruar marrëveshja me Federatën e Futbollit të Katarit, e cila ka për qëllim shfrytëzimin e këtij vendi për përgatitjen e ekipeve kombëtare, por eventualisht edhe shërimin e pjesëtarëve të ekipeve kombëtare në spitalet e atjeshme. Po ashtu, në marrëveshje janë të përfshira edhe shumë fusha tjera të cilat Federata e Katarit me një buxhet të pasur është e gatshme të japë kontributin e saj.
-Është arritur marrëveshja me Unionin e Biznismenëve Shqiptar në Gjermani për sponsorizim në destinacione të cilat i ka paraparë FFK-ja, me theks të veçantë në riorganizimin e shkollave të futbollit dhe të infrastrukturës së tyre.
-Është realizuar pjesa e parë e marrëveshjes me Federatën norvegjeze për edukimin e kuadrove të futbollit të femrave dhe për avancim të futbollit të kësaj kategorie.
-Është arritur marrëveshja me Komunën e Prishtinës për Kampin Edukativ të Hajvalisë dhe stadiumin “Fadil Vokrri”.
Projektet e parapara dhe të filluara gjatë këtij viti
-Kampi Nacional në Obiliq – janë përfunduar procedurat dhe do të fillojë së shpejti. Ky projekt mbështet nga UEFA dhe FIFA.
– Kampi Edukativ në Hajvali është projekt të cilin e ka filluar komuna për destinacion tjetër, por me marrëveshje i është dhënë FFK-së për të shërbyer si Kamp Edukativ, që është projekt jetik dhe që duhet të duartrokitet nga të gjithë. Komuna e ka bërë shumicën e investimeve dhe FFK tani e ka obligim ta përfundojë për zhvillimin e ekipeve kombëtare të kategorive të reja. Natyrisht se kjo qendër do të shërbejë edhe për ekipet zinxhir të Komunës së Prishtinës. Projekti është duke vazhduar sipas procedurave me të cilat jemi marrë vesh me Komunën e Prishtinës. Ato punë të cilat i ka kryer Komuna është bërë prerja dhe me punëkryerësit e vet i ka përfunduar të gjitha obligimet, derisa FFK me procedurat e saj të rregullta do të vazhdojë pjesën e saj të mbetur dhe ne jemi shumë të lumtur që më në fund po e përmbushim edhe kriterin që ta kemi një Qendër të Kampit Edukativ. Kështu do të përmbushet obligimi të cilin e ka çdo federatë anëtare e UEFA-s.
-Projekti 100 fusha nëpër Kosovë si dhe secili regjion do ta ketë nga një stadium.
-Stadiumi “Fadil Vokrri” – shtimi i tribunës, projekt i përbashkët me Komunën.
-Shtëpia e Futbollit, projekt i UEFA-s
Të gjitha këto projekte janë përgatitur dhe do të realizohen në përputhje të plotë me standardet e UEFA-s.
Presidenti Agim Ademi, Sekretari i Përgjithshëm, Eroll Salihu dhe Komiteti Ekzekutiv e vazhdojnë punën e tyre të përditshme dhe janë në kontakte të vazhdueshme me UEFA-n për rrjedhën e ngjarjeve me pandeminë dhe për atë se si do të veprohet tutje për ecurinë e kampionatit.
Ne shpresojmë që do ta kemi kohën e mjaftueshme që ta vazhdojmë kampionatin dhe ta përfundojmë ashtu siç është paraparë, por sigurisht se gjithçka do të ndërmerret në bashkëveprim me UEFA-n.
Urojmë që futbollistët, drejtuesit e klubeve dhe të gjithë të përfshirët në futboll, por edhe popullata e gjerë ta kalojnë këtë kohë të izolimit të plotë në mënyrën sa më të lehtë të mundshme dhe pas kësaj pandemie të gjithë të jemi shëndosh e mirë, e të kthehemi edhe më fuqishëm në fushat e futbollit.
Këtë forcë tonën si futbollistë e kemi treguar edhe në sfidat e tjera, ku nuk jemi gjunjëzuar asnjëherë por kemi dalë faqebardhë si para luftës edhe pas luftës, e sigurisht jemi shumë të bindur se do të dalim edhe tash.
Nëse dikush nga futbollistët preket nga virusi duhet menjëherë të na njoftojë që t’i marrim masat e duhura dhe ta ndihmojmë në tejkalimin e situatës.
FFK do të vazhdojë të punojë në formën online, siç ka bërë deri më tash dhe do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me klubet, regjionet dhe me UEFA-n.
Përveç pakos emergjente që i është dhënë klubeve, një pako e veçantë do të jepet edhe për shkollat e futbollit. Po ashtu përveç mjeteve financiare, FFK i ka liruar klubet nga të gjitha pagesat e tjera deri në fund të edicionit, përveç dënimeve të cilat nuk do të falen.
Federata e Futbollit falënderon të gjithë sponsorët për korrektësinë e tyre siç janë IPKO, TEB, Emerald, Air Prishtina, Fourteen, Digitalb, Alpet, KEDS, dhe Unionin e Biznismenëve Shqiptar të Gjermanisë.
Në vazhdim ju paraqesim tabelat se sa mjete financiare kanë përfituar klubet gjatë këtij tremujori.