
Milot Rashica është lojtari më i ri i Norwich Cityt.
Reprezentuesi kosovar sapo është konfirmuar si lojtari i ri i Norwich Cityt, shkruan lajmi.net.
Rashica menjëherë shfrytëzoi rastin për të falënderuar ish-klubin Werder Bremen dhe tifozët përmes një letre në rrjetin social, Instagram.
“Të nderuar tifozë të Werder Bremen, pas tri vitesh e gjysmë unë kam vendosur të marr përsipër një sfidë të re”, tha ai.
“Unë do të doja t’ju falënderoja nga zemra për mbështetjen tuaj në këtë kohë. Jam ndjerë shumë mirë me familjen time në Bremen”, shtoi ai.
“Djali im Tiani lindi këtu, dhe për këtë arsye, Bremeni gjithmonë do të luajë një rol shumë të veçantë në zemrën time dhe të familjes time”, tha Rashica.
“Të jeni të sigurt që do t’ju mbaj mend dhe afër zemrës në të ardhmen. Faleminderit tifozëve për gjithçka, shokëve të mi të skuadrës dhe të gjithë punonjësit e klubit të Werderit, qëndroni të shëndetshëm, Miloti juaj”, përfundoi Milot Rashica.
Rashica ka nënshkruar kontratë katër vjeçare me Norwich për një shumë të papublikuar.
