Këto janë mesazhet që dha Kancelari Scholz gjatë vizitës në Kosovë, mbi dialogun dhe vizat

21:00 | 10 Qershor 2022

Kancelari gjerman sot ka vizituar Kosovën.

Për të parën herë, Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka nisur sot një vizitë dyditore në Ballkan. Stacioni i parë i tij ishte Kosova. Scholz u takua me kryeministrin Albin Kurti, me të cilin më pas mbajti një konferencë për media.

Gjatë kësaj konference, kancelari dha mesazhe të qarta. Gazeta Online Reporteri.net ju sjell një përmbledhje të deklaratave të tij për dialogun, liberalizimin e vizave dhe “Open Ballkan”.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka vizituar sot Kosovën. Ai është pritur me nderimet më të larta shtetërore nga Kryeministri Albin Kurti.

Scholz zhvilloi një takim me Kurtin, detajet e së cilit i zbuloi më pas në një konferencë për media.

Tregoi se në takim është diskutuar për perspektivën evropiane të Kosovës, dialogun me Serbinë, liberalizimin e vizave, si dhe pozicionimin e Kosovës karshi luftës në Ukrainë, shkruan Reporteri.net.

Kancelari gjerman tha se është shumë e rëndësishme për Kosovën që të vazhdojë dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja.

Scholz tha se marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, meqë është e paimagjinueshme që dy vende që nuk e njohin njëra-tjetrën të jenë në BE.

“Gëzohem që po vizitoj Kosovën si vendin e parë në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi biseduar për perspektivën evropiane të Kosovës dhe liberalizimin e vizave si dhe për pozicionimin e Kosovës karshi luftës në Ukrainë. Me rëndësi për Kosovën është që dialogu i ndërmjetësuar nga BE të shkojë përpara. Lajçak e ka mbështetjen tonë të plotë. Dialogu është vendi që i hapë Kosovës rrugën drejt perspektivës evropiane. Marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës sepse është e paimagjinueshme që dy vende që se njohin njëri tjetrin të jenë në BE”, u shpreh Scholz.

I pari i Qeverisë gjermane foli edhe për liberalizimin e vizave.

Ai tha se Gjermania po angazhohet që liberalizimi i vizave të vijë sa më shpejt. Sipas tij, Kosova ka përmbushur kushtet.

Tha se për këtë flasin me gjithë partnerët dhe miqtë në Evropë.

“E kam thënë ne angazhohemi që liberalizimi të vijë sa më shpejt pasi kushtet janë plotësuar dhe me këtë flasim me të gjithë partnerët dhe miqtë në Evropë në mënyrë që dyert të hapen”, u shpreh Scholz.
Scholz tregoi edhe qëndrimin e tij për nismën “Ballkani i Hapur”, që kundërshtohet nga Kosova.

I pyetur se a e mbështet Gjermania këtë proces, Scholz tha se i japin prioritet Tregut të Përbashkët Rajonal, shkruan Reporteri.net.

Kancelari tha se Procesi i Berlinit është forumi që i çon në BE vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Sa i përket Open Balkan, dua ta them të qartë se ne prioritet të madh i japim Tregut të Përbashkët Rajonal që mendojmë se duhet të përparojë dhe çështjet brenda tij mund të realizohen dhe të çohen përpara”, tha ai.

Scholz paraprakisht tha se Procesi i Berlinit është një shenjë që Gjermania me të gjitha mundësitë që ka do të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor për t’iu bashkangjitur BE-së.

“Procesi i Berlinit është një shenjë që Gjermania me të gjitha mundësitë që ka do të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor për t’iu bashkangjitur BE-së në kohën e duhur. Ne e kemi bërë këtë prioritet. Por ne nuk mund të bëjmë asgjë për këtë, është e rëndësishme të punojnë edhe pjesëmarrësit në këtë proces”, u shpreh Scholz.

Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti e ka quajtur historike vizitën e sotme të Scholz në Kosovë.

Tha se është vizita e parë e një kancelari gjerman në Qeverinë e Kosovës.

“Kjo vizitë është historike, sepse është vizita e parë e një kancelarin gjerman në Qeverinë e Kosovës. Bota pas agresionit rus, është trazuar pikërisht në këtë kohë kancelari ka treguar qartësi e vizion në mbrojtjen e të drejtave të përbashkëta. Ne jemi përjetë mirënjohës për mbështetjen tuaj. E sigurova kancelarin se Qeveria jonë po vazhdon me reforma të përgjithshme, si sundimin e ligjit dhe kulturën demokratike në Vend”, u shpreh Kurti.

Kurti foli edhe për diskutimet që kanë bërë rreth dialogut.

“Sa i përket dialogut, i tregova se jemi treguar palë e përkushtuar por se Serbia po vazhdon të bllokojë zgjidhjet që ofrojmë, edhe për procesin e Berlinit. Në këtë proces Kosova po tregon përafrimin e saj me politikat e BE-së”, deklaroi Kurti.

Kurti në këtë konferencë ka bërë të ditur se Kosova në fund të këtij viti do të aplikojë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ai kërkoi mbështetjen e Gjermanisë për këtë proces.

“Në përputhje me premtimet dhe perspektivën evropiane, po punojmë në përmbushjen e reformave për anëtarësim në BE. Do të vazhdojmë edhe me aspiratën tonë për statusin e kandidatit për BE ku planifikojmë të aplikojmë në fund të këtij viti”, ka thënë Kurti.

Komento: