Këto janë problemet që mund t’i kushtojnë Kosovës me kualifikim në Evropian

20:34 | 06 Mars 2020

Bunjaki ka treguar problemet që mund t’i kushtojnë Kosovës me kualifikim në Evropian.

Ish-trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki, beson se disa probleme – si fakti që Kosova do t’i zhvillojë dy ndeshjet e mëdha si mysafire brenda tri ditëve e problemet politike mes tjerash – mund të ndikojnë në fatin e Dardanëve drejt EURO 2020.

Kosova e Bernard Challandes e humbi shansin e parë për ta siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian 2020, pasi nuk arriti të zërë vendin e parë apo të dytë në Grupin A, duke mbetur e treta, pas Anglisë dhe Çekisë.

Megjithatë, Verdhekaltrit e kanë edhe një mundësi të dytë për ta zënë një vend në EURO 2020 – përmes fazës së play-offs kualifikues për Evropian, ku e zuri një vend pasi e fitoi Grupin D3 të Ligës së Kombeve.

“Dardanët” e drejtuar nga Bernard Challandes do ta vizitojë Maqedoninë e Veriut më 26 mars, në orën 20:45, për ndeshjen gjysmëfinale të play-offs kualifikues për Kampionatin Evropian 2020. Fituesi i kësaj përballjeje më pas do të përballet me Gjeorgjinë ose Bjellorusinë në finale të play-offs.

“Me Maqedoninë mendoj se kemi gjasa shumë reale. Ajo që ndoshta mua më frikëson pak është realiteti që ne do t’i luajmë dy ndeshje brenda tri ditëve dhe në të dyja do të jemi mysafirë”, tha Bunjaki.

“Nëse ndeshjen e parë e fitojmë me njësuperperformancë, për finale duhet të ngrihemi edhe më shumë sepse s’mjafton vetëm aq. A ka Kosova potencial? Po, ka. A do të ketë përkrahje? Po, do të ketë përkrahje”.

“Lojën e dytë vjen edhe pjesa politike që gjithmonë po na përcjell. A kemi të drejtë të shkojmë në Gjeorgji apo Bjellorusi, sa është numri i biletave i tifozëve që do të shkojnë? Edhe këto janë faktorë të rëndësishme kur vjen puna t’i luash dy ndeshje brenda tri ditëve”.

Komento: