Këto janë rrugët e paligjshme nga Kosova në Serbi

15:49 | 21 December 2022

Rrugëve të paligjshme nga Kosova në Serbi.

“Po e bllokojmë veten”, thotë një prej qytetarëve që po udhëtojnë këto ditë nga veriu i Kosovës drejt Serbisë, përmes rrugëve alternative, të cilat përfshijnë edhe kalime ilegale të kufirit.
Qysh më 10 dhjetor, kur grupe të serbëve lokalë kanë ngritur barrikada në veri të Kosovës, duke bllokuar rrugët që çojnë kah dy vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, shumëkush duhet të gjejë zgjidhje vetë.

Një grup i madh parazitësh do të dalin në mëngjes nëse pini natën

Rruga përmes malit të Rogoznës është një prej opsioneve.

Në vend të autostradës kryesore nga Mitrovica e Veriut, përmes Leposaviqit, deri në pikën kufitare të Jarinjës, tani udhëtohet përmes Banjskës – Komuna e Zveçanit – dhe malit të Rogoznës, në rrugën e njohur si ‘rruga kah burimi’.

Nëpërmjet fshatrave Bare dhe Bërgjani, arrihet në Novi Pazar dhe më pas në Rashkë – të dyja komuna në jugperëndim të Serbisë.

Kjo rrugë, e cila është njëra prej disa rrugëve alternative në veri, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshin edhe një kalim të jashtëligjshëm të kufirit, sepse nuk ka vendkalim kufitar zyrtar.

Megjithatë, në dalje nga territori i Kosovës, në një objekt të improvizuar është vendosur postblloku i Policisë së Serbisë.

Në këtë vend, policia i legjitimon udhëtarët, ashtu si në vendkalimet e rregullta kufitare.

Në këtë rrugë, përveç makinave, dy herë në ditë kalojnë edhe autobusë të kompanive private nga Mitrovica e Veirut. Siç ka marrë vesh REL-i, autobusët janë pothuajse plot me udhëtarë.

Nga bisedat me disa prej tyre, del se shumica udhëtojnë drejt Serbisë për shkak të obligimeve, qofshin shëndetësore apo të punës.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë se kanë kapacitet për t’i hequr barrikadat, por se janë duke i dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bëjë këtë në mënyrë paqësore.

KFOR-i ka thënë se po monitoron me kujdes situatën në veri të Kosovës dhe se misioni ka aftësi dhe personel për të siguruar lirinë e lëvizjes, në përputhje me mandatin e tij.

Megjithatë, misioni u ka bërë thirrje të gjithëve që “të përmbahen nga demonstrimi provokues i forcës, në mënyrë që të garantohet siguria e të gjitha komuniteteve”.

Për më shumë rreth zhvillimeve në veri, përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.

Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që mbështetet nga Beogradi – ka thënë se “receta për heqjen e barrikadave është lirimi i të gjithë serbëve të arrestuar, tërheqja e të gjitha njësive policore nga veriu i Kosovës dhe heqja e të gjitha listave sekrete për vrasjen e serbëve”.

Rakiq nuk ka ofruar ndonjë provë që do t’i mbështeste pretendimet e tij, por zyrtarët e Kosovës i kanë hedhur poshtë disa pretendime të mëhershme të autoriteteve serbe se Qeveria e Kosovës, me në krye Albin Kurti, ka dërguar forca speciale në veri dhe “synon përndjekjen e serbëve” nga ajo pjesë.

Komento: