
Kosova është në pritje të krijmit të qeverisë së re.
Procesi i zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit është krejt në përfundim, teksa në pritje është vetëm publikimi i rezultateve përfundimtare nga KQZ.
Megjithatë, secila parti përafërsisht i di kandidatët e saj të cilët morën mjaftueshëm vota për të siguruar një ulëse në legjislaturën e ardhshme të Parlamentit të Kosovës, shkruan lajmi.net.
Nga secila parti, kandidatë të rinj kanë fituar mjaftueshëm vota për t’u bërë deputetë.
Fjolla Ujkani, vetëm 22 vjeçare do të jetë deputetja më e re ndonjëherë në Kuvendin e Kosovës. Edhe kolegu i saj nga Vetëvendosje, Gazmend Gjyshinca ka marrë mbi 12 mijë vota dhe kësisoj do të jetë pjesë e legjislaturës së ardhshme të Kuvendit.
Nga Partia Demokratike e Kosovës, Ariana Musiu-Shoshi nga gjenerata e të rinjëve ka fituar vota mjaftueshëm për të hyrë në Kuvend.
Përveç këtyre dy subjekteve, edhe nga partitë tjera pritet të ketë të rinj, që pa përvojë politike do të përfaqësohen direkt me ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Politologu, Ramush Tahiri, për lajmi.net thotë se sistemi zgjedhor në Kosovë e mundëson zgjedhjen e emrave të rinj, pavarësisht se sa ata janë të popullarizuar.
Ai përmend sistemin një qytetar – pesë vota, i cili aplikohet në Kosovë, dhe që sipas tij është shkaktar tjetër se pse emra të panjohur fitojnë ulëse në Kuvend.
“Sistemi zgjedhorë një qytetar pesë vota mundëson zgjedhjen e kandidatëve të cilët janë të panjohur, ku nuk ka shumë propagandë mes kandidatëve. Po ashtu sistemi zgjedhor dy meshkuj një femër, mundëson hyrjen e femrave të cilat kanë më pak vota se vetë meshkujt. Ky është sistemi që dikush mundet me hi edhe me 22 vite, dhe me ra deputetët e njohur deri tash”, thotë ai.
Ai përmend edhe formën e votimit të qytetarëve të Kosovës, që sipas tij rëndom tre emra i votojnë nga kandidatët e parapëlqyer, ndërsa dy të tjerë i votojnë me hamendje.
“Këtu nuk mund të vlerësojmë që dikush është penalizu, për arsyen sepse edhe tek unë, mirëpo besoj edhe tek të tjerët, kanë pasur nga 3 emra për t’i votuar, ndërkaq dy të tjerë i kanë votuar me hamendje. Në këtë bazë mendoj që u mundësohet edhe disa emra të rinj, të hyjnë në Kuvend”, thotë ai.
Më kritik në këtë aspekt është njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani.
Ai për lajmi.net thotë se të rinjëve u takon të shkollohen, të punësohen e pastaj të kyçen në politikë pas arritjes së një pjekurie profesionale e njerëzore.
“Nuk është fjalë për vlerë po për vetëdijësim normal të partive dhe popullit. Njerëzit e rinj duhet të shkojnë në shkolla, fakultete, të punësohen e tek pastaj vjen politika pas një përvoje dhe pjekurie edhe profesionale, mirëpo edhe njerëzore. Këto nuk janë përfaqësim i popullit por kategori sociale, partië politike në Kosovë kanë liderë të papunë që kurrë të punësuar nuk kanë qenë me kontrata pune”, thotë Burjani.
Ai thotë se disa e kanë kuptuar gabimisht politikën, dhe se ky sektor është mandat i popullit, për popullin.
“Politika nuk është punësim, është mandate i popullit, për t’i shërbyer atij e jo t’i shërbesh vetes me pagë të popullit. Ky është një deformim demokratik apo shpërqendrim dhe krizë demokratike. Pra njerëz në Kuvend që nuk e dijnë çka është ligji dhe asnjë sferë e jetës shoqërore. Këto janë deformime dhe prap do të kemi njerëz si prej vitit 2002 që hyjnë të kryejnë praktikë në Kuvenv apo intership. Politikë s’është për njerëz të papërvojë profesionale dhe jetësore të gjatë”, thotë Burjani.
Sipas Burjanit, rrethana të tilla imponojnë një legjislaturë të dobët, ngase sipas tij do të ketë momente të rëndësishme si dialogu me Serbinë dhe marrëvesha që duhet ta aprovojë ky Kuvend.
Ndryshe, legjislatura e re e Kuvendit pritet të ketë para vetes sfida shumë të vështira, përfshirë dialogun, liberalizimin e vizave e sfida të tjera.
Deri më tani, nga ajo çka është konfirmuar Vetëvendosje do të ketë 32 ulëse, LDK 29 e PDK 24 sosh