Këto janë vështirësitë e të bërit biznes në Kosovë

08:43 | 25 October 2019

Vështirësitë e të bërit biznes në Kosovë.

Ambienti afarist i të bërit biznes në Kosovë ende ballafaqohet me sfida dhe probleme të ndryshme, me gjithë përmirësimet e vogla që janë bërë, thonë pronarë të bizneseve dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Burim Pirraj, pronar i industrisë së mishit “Meka”, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se vetëm regjistrimi i një biznesi të ri, është një proces i lehtë për t’u realizuar, kurse mbijetesa e biznesit në fazat e zhvillimit, sipas tij, kalon nëpër sfida të shumta.

Si problem kryesor në të bërit biznes, Pirraj e konsideron burokracinë në institucionet kompetente.

“Burokracia është shumë e theksuar, ka probleme burokratike, nëpër institucione ka njerëz të punësuar pa kualifikim adekuat, të cilët shkaktojnë probleme”, thotë ai.

Sipas tij, këto probleme nuk i shohin institucionet, por për afaristët paraqesin sfida në punën e tyre.

“Megjithatë, ka pak përmirësim, por ende nuk ka politika fiskale të favorshme për biznesin vendor”,thekson Pirraj.

Edhe përfaqësues të biznesit theksojnë se burokracia, korrupsioni dhe mungesa e sundimit të ligjit, po e dëmtojnë mjedisin biznesor dhe njëherësh po pengojnë ardhjen e investitorëve të huaj.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se klima biznesore është vështirësuar nga taksa të ndryshme dhe kjo, sipas tij, ka bërë që Kosova të mos jetë vend atraktiv për investitorët e brendshëm dhe ata ndërkombëtarë.

“Vetëm vitin e kaluar, 50 milionë euro ka qenë vlera e investime të huaja, ka rreth 12 mijë të punësuar më pak. Kjo tregon se klima biznesore është vështirësuar, është ngarkuar më taksa, me burokraci të licencave, leje të ndërtimit dhe të gjitha këto kanë bërë që Kosova mos të jetë atraktive për investimet e huaja dhe investitorët të gjejnë më lehtë vend për investime në shtetet tjera”, bën të ditur Shahini.

Ndryshe, bazuar në raportin e publikuar të Bankës Botërore, “Të bërit biznes” për vitin 2020, Kosova vlerësohet se ka shënuar rënie krahasuar me një vit më parë.

Në këtë raport, Banka Botërore e rendit Kosovën në pozitën e 57, përkatësisht 13 pozita më poshtë, nga viti i kaluar ku radhitej në vendin e 44 nga gjithsej 190 shtete sa janë të përfshira në këtë raport.

Pavarësisht kësaj, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në komunikatë për media ka thënë se raporti i Bankës Botërore, konfirmon progresin gradual dhe të qëndrueshëm të Kosovës drejt krijimit të një klime të favorshme për biznes dhe tërheqje të investimeve në vend.

Progresi i bërë nga Kosova, thuhet në komunikatë, është evident nga analizimi i të dhënave nga raporti që tregon se Kosova ka shënuar një përmirësim në lehtësinë e të bërit biznes dhe ka pasur progres në shtatë indikatorë nga 10 sa janë gjithsej.

“Në të, mes tjerash, thuhet se Kosova e ka bërë progres më të lehtë menaxhimin e lejeve të ndërtimit, ka përmirësuar furnizimin me energji elektrike, ka forcuar mbrojtjen e investitorëve të pakicave dhe ka lehtësuar zbatimin e kontratave”, thuhet në komunikatë, por edhe në raportin e Bankës Botërore.

Sidoqoftë, në raportin e Bankës Botërore, Kosova paraqitet e katërta nga vendet e rajonit. Ajo renditet pas Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Malit të Zi, kurse Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina radhiten në pozita më poshtë.

Përveç kësaj, në raportin e Bankës Botërore “ theksohet se Azerbajxhani, Kirgizia, Kosova dhe Uzbekistani dolën ndër 20 ekonomitë më të përmirësuara në mbarë botën”.

Komento: