S’ka datë për liberalizim, 5 vendet që s’e kanë njohur Kosovën mund ta bllokojnë procesin.
Deklarata e djeshme e deputetit gjerman, Peter Beyer në Prishtinë se liberalizimi i vizave mund të vije si befasi për Krishtlindje, rriti entuziazmin në skenën politike në Kosovë.
Para mediave, bashkë me kryeministrin në dorëheqje, Ramush Haradinaj, Beyer ritheksoi mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën në aspektin ndërkombëtar, mirëpo pa dashur të jap data, ai tha se liberalizimi mund të jetë si “shpërblim” para Krishtlindjeve, shkruan lajmi net.
“Gjermania është shtet mbështetës për integrimin e Kosovës dhe liberalizimin e vizave. Ka pasur edhe data, një datë kurrë nuk e kemi cekur nga ana jonë. Vërtet nuk është e drejtë që Kosova është i vetmi vend që nuk ka liberalizim të vizave. Unë nuk do ta jap datën, mirëpo ndoshta do të jetë shpërblim për Kërshëndella”, deklaroi Beyer në Prishtinë.
Liberalizimi i vizave nuk po cilësohet si “shpërblim” nga institucionet e Kosovës.
Nga ministria e Integrimeve Evropiane thonë se Kosova i ka përmbushur moti kushtet për këtë proces, dhe se sipas tyre një gjë e tillë do ishte dashur të ndodhte qysh moti.
Zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Lirak Çelaj për lajmi.net thotë se befasi do të ishte vonesa në liberalizimin e vizave, dhe jo përfundimi i procesit.
“Unë mendoj që gjasat janë, bile është dashur të ndodh më herët kjo punë sepse kushtet janë përmbushur nga ana e Kosovës, veç ka qenë domethënë çështje politike dhe ajo mundet me ndodhë çdo rast dhe s’ish desht me qenë befasi, sepse befasi është vonesa dhe jo ardhja e liberalizimit të vizave”, thotë Çelaj.
Sidoqoftë, deklarata e Beyer në Prishtinë po shihet me skepticizëm nga ana e njohësit të çështjeve integruese, Avni Mazreku.
Ai thotë se duhet të analizohet edhe pjesa e dytë e deklaratës së Beyer, ku përmend shtetet të cilat s’e kanë njohur Kosovën.
“Mendoj që duhet të analizohet me kujdes pjesa e dytë e deputetit Beyer, ku ai përmend pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Pra ne nuk mund të flasim për afate se kur mund të përfundojë ky proces për arsyen se ky është një vendim politik”, thotë ai.
Megjithatë, Mazreku thekson se Gjermania është një shtet i fuqishëm, dhe se votimi pro Kosovës në Këshill ka relevancë shumë të madhe.
“Sidoqoftë, Gjermania është një shtet shumë i fuqishëm prej të cilit Kosova gëzon mbështetje shumë të madhe, dhe votimi pro i Gjermanisë në Këshill normalisht që ka relevancë shumë të madhe”, shkruan lajmi.net.
Ndryshe, Beyer në Prishtinë dje tha se është mëkat që jo të gjitha shtetet e BE-së e kanë njohur Kosovën.
Nga kryqyteti, ai u bëri thirrje Sllovakisë, Greqisë, Rumanisë, Spanjës dhe Qipros ta njohin realitetin e ri të krijuar në Ballkan.