KFOR-i habitet me reagimet e Serbisë për aksionin e Kosovës në veri.
“Kur bëhet fjalë për zbatimin ligjit, Polica e Kosovës është përgjegjëse për aksionet e veta. Unë, gjatë intervistës sime në TV Prva kam thënë se ‘çdokush ka qenë i informuar’, që do të thotë se informata për operacion është dhënë, por jo nga KFOR-i”, ka thënë për gazetën e Beogradit “Danas” zëdhënësi i KFOR- it Vincenzo Grasso.
Ai ka shtuar se KFOR-i nuk mund të japë informacione në emër të të tjerëve dhe saktëson se nuk ka pasur kurrfarë arsyeje të reagohet ndaj aksionit të Policisë së Kosovës që u bë me qëllim të uljes së shkallës së kriminalitetit që është i dobishëm për të gjithë, transmeton Koha.net.
“Ky operacion është zhvilluar në komuna të ndryshme të Kosovës, jo vetëm në veri, rezultatit i tij është arrestimi i disa policëve e civilëve me përkatësi të ndryshme etnike dhe nuk ka pasur kurrfarë konfrontimi ndëretnik”, thotë Grasso.
Ai ka saktësuar se KFOR-i e ka mbikëqyrur aksionin si i treti në hierarkinë me kompetenca për siguri – Policia e Kosovës, UNMIK-u dhe pastaj KFOR-i ndërsa ka vlerësuar se ndërhyrja e KFOR-it nuk ka qenë e nevojshme.