KFOR-i me kërkes për të zbutur tensionet në veri, s’përmend heqjen e barrikadave.

15:42 | 28 December 2022

KFOR-i kërkon dialog për të zbutur tensionet në veri, s’përmend heqjen e barrikadave.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha të mërkurën se mbështet dialogun ndërmjet të gjitha palëve për të zbutur tensionet në veri të vendit.

“Është e rëndësishme që të gjitha palët e përfshira të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën”, tha komandanti i Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Angelo Michele Ristuccia.

“Zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut”, shtoi ai.

Më 27 dhjetor, në veri të Kosovës janë vendosur dy barrikada të reja. Gjithashtu një barrikadë u ngritë edhe në anën serbe të kufirit në Merdare.

Serbët lokalë që 19 ditë kanë ngritur barrikada në veri, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq.

Avokati i tij, Nebojsha Vllaiq, ka konfirmuar sot për Radion Evropa e Lirë se klientit të tij i është zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.

Barrikadat e tjera janë të vendosura kryesisht në rrugë magjistrale në veri që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Që kur janë ngritur barrikadat, në veri të Kosovës janë shënuar një numër i incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.

Cak i sulmeve kanë qenë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), patrulla të KFOR-it dhe gazetarët.

Qeveria e Kosovës tha më26 dhjetor se është në komunikim të vazhdueshëm me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe po pret që ata të veprojnë, duke theksuar që Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet për të hequr barrikadat./REL

Komento: