KFOR-i në Kosovë tregon se a ka ndonjë pjesëtar të prekur me koronavirus

21:43 | 12 Mars 2020

KFOR-i në Kosovë ka treguar se a ka ndonjë pjesëtar të prekur me koronavirus.

Asnjë ushtarë i KFORI-t që shërben në Republikën e Kosovës nuk është i infektuar me koronavirus.

Një gjë të tillë e kanë konfirmuar ekskluzivisht për Gazetën Express nga Zyra për Media e KFOR-it, të pyetur rreth disa dyshimeve se një pjesëtar i KFOR-it që shërbente në rajonin e Gjakovës mund të ishte infektuar me COVID-19.

“Nuk ka asnjë rast të personelit të KFOR-it të infektuar me COVID-19″, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Nga zyra për media e KFOR kanë thënë se kanë marrë një numër masash parandaluese në bazë të rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Derisa theksojnë se punën janë duke e vazhduar normalisht.

“KFOR ka miratuar një numër masash parandaluese, bazuar në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, dhe po e vazhdon misionin në mënyrë të rregullt”, përfundon përgjigja.

Deri sot në Kosovë sipas Institutit të Shëndetit Publik ka pasur dhjetëra raste të qytetarëve të dyshuar për infektim me koronavirus COVID-19, megjithatë të gjitha kanë rezultuar negative.

Ndërkohë Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë një sërë masash. Shkollat janë mbyllur deri më 27 mars, derisa janë pezulluar fluturimet për Gjermani, Zvicër, Itali dhe Francë.

Larja e shpeshtë e duarve dhe shmangia e kontaktit me njerëz dhe frekuentimi i zonave të mbipopulluara janë disa prej këshillave bazike të cilat janë dhënë.

Komento: