KFOR-i thotë se është i gatshëm të intervenojmë

11:35 | 28 May 2019

Policia e Kosovës është duke zhvilluar një aksion të madh në veri të Kosovës.

Policia e Kosovës që nga mbrëmë ka nisur një aksion në disa të komuna të Kosovës, që si cak ka pasur disa persona, përfshirë këtu edhe policë e doganierë. Aksioni ka vazhduar sot edhe në veri, ku raportohet se janë plagosur katër pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Lidhur me këtë situatë, ka reaguar edhe komandanti i KFOR’it, i cili ka thënë se janë të gatshëm të intervenojnë nëse nevojitet.

Lidhur me situatën aktuale, KFOR-i ka informuar se Policia e Kosovës po kryen një operacion policor në tërë Kosovën, pas fletëarrestimeve të lëshuara nga Gjykata e Prishtinës në lidhje me një hetim mbi korrupsionin, derisa kanë thënë se janë të gatshëm të intervenojnë për të garantuar sigurinë e gjithë komuniteteve.

“KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën dhe është i gatshëm të intervenojë, nëse kërkohet si përgjegjës i tretë, në mënyrë që të garantojë sigurinë për të gjitha Komunitetet, në përputhje me mandatin e vet sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatën e KFOR’it drejtuar mediave, thuhet se ky është vetëm një operacion policor dhe se as Forca e Sigurisë së Kosovës ose ndonjë forcë tjetër ushtarake nuk është vendosur në veri të Kosovës.

“Për shkak të ndjeshmërisë politike të momentit, komandanti KFOR-it fton të gjitha palët që të merren me mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi, pa asnjë forcë ose dhunë. Njerëzit duhet të qëndrojnë të qetë, nuk kanë asgjë për t’u frikësuar”, përfundon komunikata.

Një aksion i Policisë së Kosovës të hënën, nën udhëheqjen e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala, la nën pranga katër kontrabandistë dhe katër doganierë.

Ndryshe, Express ka raportuar se këta kanë qenë në vëzhgim disa mujorë si të përfshirë në korrupsion. Ata dyshohet se në mënyërë ilegale kanë lejuar që të futen në vendin tonë sasi të mëdha të mallit të kontrabanduar.

I njëjti aksion, mëngjesin e së martës vazhdoi edhe në disa komuna tjera të Kosovës. Operacioni policor u shtri edhe në Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë Veriut, Drenas e Skenderaj.

Përmes një komunikate është bërë e ditur këta persona dyshohen për “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit Kri minal”, në lidhje me veprat tjera penale, si: “Kontrabandim me Mallra”, “Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Tregti e Ndaluar”. Për realizimin e këtij aksioni, Policia e Kosovës ka hasur edhe në rezistencë të armatosur.

Deri më tani është raportuar se janë të plagosur katër pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Policia ka bërë të ditur se kjo ka rezultuar me arrestimin e disa zyrtarëve të nacionaliteteve të ndryshme, shqiptarë, serbë e boshnjakë.

Komento: