KGJK pa anëtar nga radhët e komunitetit serb, jep dorëheqje Adrijana Miletiq

14:08 | 20 November 2024
kgjk-pa-anetar-nga-radhet-e-komunitetit-serb,-jep-doreheqje-adrijana-miletiq

Prishtinë-Këshilli Gjyqësorë i Kosovës (KGJK) ka mbetur pa anëtar nga komuniteti serb.

KGJK përmes një përgjigje të dhënë për “Betimi për Drejtësi” ka njoftuar se anëtarja e deritanishme nga ky komunitet, Adrijana Miletiq ka  dhënë dorëheqje.

“Bazuar në kërkesën tuaj, ju njoftojmë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), më datë 7 gusht 2024, ka pranuar deklaratën e znj. Andrijana Miletić, për dorëheqje nga funksioni i anëtares së KGjK-së”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga udhëheqja e zyrës për informim e këtij këshilli, Aishe Qorraj-Berisha.

Po ashtu, KGJK ka njoftuar edhe për arsyet e dorëheqjes se Miletiq nga KGJK-ja.

“Ajo ka theksuar se arsyeja e dorëheqjes është vazhdimi i karrierës profesionale si menaxhere e një kompanie lokale”, thuhet në përgjigjen e KGJK-së.

KGJK gjithashtu ka bërë të ditur se për këtë dorëheqje kanë njoftuar Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Bazuar në nenin 10 paragrafi 1, neni 13 paragrafi 1, nën paragrafi 1.6 të Ligjit Nr. 06/L-055 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe nenit  7 paragrafi 1 të Rregullores Nr. 03/2020 mbi Organizimin dhe Veprimtarinë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshilli e ka njoftuar Kuvendin e Kosovës për përfundimin e mandatit të znj. Miletić”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e KGJK-së.

KGJK përbehet nga 12 anëtarë, tre prej tyre nga komunitetet, ndërsa me dorëheqjen e natares Miletiq kanë mbetur vetëm dy anëtar nga komunitetet.

Komento: