Kica-Xhelili reagon: Mos Kryeministër, po e ofendon këtë shoqëri, kjo është e pafalashme

18:11 | 11 Maj 2023

Reagon Kica-Xhelili: Mos Kryeministër, po e ofendon këtë shoqëri, kjo është e pafalashme.

Deputetja e LDK’së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar lidhur me deklaratën e sotme të kryeministrit Albin Kurti, i cili kur u pyet lidhur me zgjedhjen e Rilind Gërvallës si Drejtor në RTK, ndër të tjera tha se është kryeministri i parë që s’ka asnjë të punësuar me mbiemër të tij në asnjë prej ministrive.

Duke komentuar këtë përgjigje, Kica-Xhelili ka thënë se sipas kryeministrit, “rehatimi i mbështetësve, bashkëpartiakëve, donatorëve të VV, madje edhe përfshirja e tyre në afera potenciale milionëshe në sektorin energjetik dhe jo vetëm, AMNISTOHET, sepse nuk e paskan mbiemrin Kurti”.

“Kjo të detyron të dalësh nga vetja, e ta pyesësh: E në Mal të Zi, kryeministër, a ke? Apo Norvegji? Shtëpinë ku e ke? Më të rëndësishmen, familjen, gruan e vajzën, ku? Ku i arsimon? Ku i shëron? A ballafaqohet vajza jote në shkollë me bullizimin që fëmijët e politikanëve në Kosovë i kanë duruar deri në vaj depresiv për shkak të diskursit tënd kur ti i shpallje tradhëtarë? Varret e gjyshërve e babgjyshërve, dhimbjen e familjarëve të vrarë me mbiemrin tënd, a e ke?”, ka shkruar Kica-Xhelili.

Këtë përgjigje të Kurtit, deputetja e LDK’së e ka cilësuar si ofenduese dhe të pafalshme.

“Mos, kryeministër! Je mjaftueshëm inteligjent për të kuptuar që po ofendon përtej asaj që e duron kjo shoqëri, që nënkupton se po e bën qëllimshëm. Po abuzon qëllimshëm. Kjo është brutalisht e pafalshme”, ka shkruar Kica.

Ndryshe, Gërvalla është i afërt me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje. Ai vetë ka publikuar fotografi në mbështetje të kësaj partie politike.

Shoqëria civile vazhdimisht ka kërkuar që drejtori i RTK-së të mos jetë partiak ose që ka bindje partiake

Komento: