​Kilaj, Smakaj, Fazliu e Kuçi mund të komunikojnë me njëri-tjetrin në ambientet e Speciales

18:10 | 03 Mars 2026
​kilaj,-smakaj,-fazliu-e-kuci-mund-te-komunikojne-me-njeri-tjetrin-ne-ambientet-e-speciales

Gjyqtari i Speciales, Christoph Gosnell, ka njoftuar ndryshimin e kushteve të lirimit me kusht të Isni Kilajt, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut e Hajredin Kuçit.

Përmes urdhrit gojor, ai ka thënë se të katër këta lejohen të komunikojnë me njëri-tjetrin gjatë kohës sa janë të pranishëm në ndërtesën e Dhomave të Specializuara në Hagë. Megjithatë, ai tha në seancën e sotme se të njëjtit duhet të sigurohen që nuk diskutojnë çështje konfidenciale në zonat publike të gjykatës.

Në fund të seancës së sotme, gjyqtari i vetëm në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit ka bërë të ditur se kërkesa për heqjen e disa kushteve, është parashtruar dje nga ekipet mbrojtëse.

“Më 3 mars, pra sot, Zyra e Prokurorit të Specializuar e kundërshtoi kërkesën dhe paraqiti arsyet e saj. Pra, këto kufizime ndryshojnë si në vijim: të akuzuarit zotëri Smakaj, zotëri Kilaj dhe zotëri Fazliu, zotëri Kuçi lejohen të komunikojnë me njëri-tjetrin gjatë kohës sa janë të pranishëm në ndërtesën e Dhomës së Specializuara në Hagë, përfshirë lidhur me këtë çështje. Ata duhet të tregojnë kujdes të veçantë që të sigurohen që nuk diskutojnë çështje konfidenciale gjatë kohës kur janë në zonat publike të ambienteve të gjykatës. Urdhrat për pjesën tjetër vijojnë të mbetën në fuqi për aspekte të tjera, që do të thotë që zbatohen ndaj të gjitha komunikimeve dhe kontakteve jashtë ambienteve të Gjykatës Speciale në Hagë. Arsyet me shkrim të këtij vendimi do të dërgohen më pas”, përfundoi ai. /Kosovapress

Komento: