Kina i hakmerret ShBA-së në mënyrën e njëjtë siç u ndëshkua.
Kina ka vendosur sanksione ndaj disa individëve dhe organizatave amerikane si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të fundit të ShBA-së kundër zyrtarëve kinezë në Hong Kong.
Në mesin e personave që do të preken nga sanksionet e Kinës është edhe ish-sekretari i Tregtisë, Wilbur Ross.
Shtetet e Bashkuara iu vendosën sanksione zyrtarëve kinezë në Hong Kong për shkak të rolit të tyre në shtypjen e pakënaqësive në atë territor, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Të premten, Ministria e Jashtme e Kinës tha se sanksionet e reja amerikane kanë për qëllim që ta njollosin mjedisin biznesor të Hong Kongut dhe i shkelin rëndë ligjin ndërkombëtar e normat themelore për qeverisjen e raporteve ndërkombëtare.
Kjo ministri tha se do të vendosë sanksione kundër disa zyrtarëve e organizatave amerikane, përfshirë ish-zyrtarin e lartë, Ross.
Në mesin e të sanksionuarve janë edhe Sophie Richardson, drejtoreshë e organizatës “Human Rights Watch” për Kinën, dhe Adam King nga Instituti Ndërkombëtar Republikan.
Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha para gazetarëve se hakmarrja e Kinës nuk i pengon Shtetet e Bashkuara.
“Këto veprime janë shembujt më të fundit të asaj se si Pekini ndëshkon qytetarë privatë, kompani dhe organizata të shoqërisë civile si mënyrë për të dërguar sinjale politike”, tha ajo.