Kiqina motivon punonjësit e Telekomit gjatë vizitës në Prizren dhe Gjakovë

11:11 | 28 September 2020

Gjatë një vizite pune në pikat regjionale të shitjes në Prizren dhe Gjakovë, Ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Zeqir Kiqina, ka identifikuar për së afërmi vështirësitë e punës, projektet e nisura, por edhe motivin për punë të punonjësve të Telekomit të Kosovës.

Për shkak të situatës së rënduar në Telekomin e Kosovës, shumë pika regjionale të kësaj kompanie, e kanë pasur të pamundur për të përmbushur të gjitha kërkesat dhe nevojat e konsumatorëve nëpër qytete, fshatëra dhe vendbanime të ndryshme anëkend territorit të Republikës së Kosovës.

“Përkundër situatës së vështirë nëpër të cilën po kalojmë si ndërmarrje, jam i kënaqur dhe i inkurajuar me punën e palodhshme që po bëhet nëpër regjione dhe sidomos me vetëiniciatën e punonjësve për mirëmbajtje të objekteve, por edhe të punëve teknike nëpër terren, në mënyrë që të plotësohen të gjitha kërkesat dhe nevojat e konsumatorëve për rrjet dhe shërbime më të mira”, tha Zeqir Kiqina, Ushtrues i Detyrës i Kryeshefit Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës.

Ai u bëri të ditur punonjësve gjatë vizitës në Prizren dhe Gjakovë se duke bashkëpunuar ngushtë me Bordin e Drejtorëve, do t’i adresojnë te Aksionari me kohë dhe në mënyrë emergjente të gjitha problemet me të cilat është duke u përballur kompania.

“Problemet janë të shumta, sepse siç dihet mungesa e investimeve në rrjetet teknike, çdo ditë e më shumë po krijon vështirësi komunikimi te konsumatorët, gjë që kjo pastaj ka efekte negative edhe në inkasimin e të hyrave dhe në stabilitetin e përgjithshëm teknik dhe financiar të kompanisë”, theksoi
U.D. i Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Zeqir Kiqina.

Ai u informua se në Komunën e Gjakovës, sakatësisht në rajonin “Rekës së Keqe” është investuar në zgjerimin e kabllit optik, që përfshijnë fshatërat Ponoshec, Popoc, Shishmon, Smolicë, Duzhnje, Meqë, Babaj të Bokës, Korenicë, etj, ndërkohë që është funksionalizuar edhe rrjeti në disa fshatëra të Deçanit, si në Gllogjan, Baballoq, Gramaqel, Hereq, Shaptej, etj.

Pavarësisht sfidave me të cilat është duke u ballafaqur, Telekomi i Kosovës po bën përpjekje të mëdha për të plotësuar në vazhdimësi nevojat e të gjithë konsumatorëve, institucioneve publike dhe atyre private, për qasje sa më të lehtë në shërbimet e telefonisë mobile, fikse, internetit dhe IPTV-së.

Komento: