Kirurgët e QKUK-së po vazhdojnë edhe më tej grevën.
Pas ditës së hënë, kur të gjitha klinikat e QKUK hynë në grevë 24-orëshe, janë mjekët kirurgë, të cilët përmes nënshkrimeve të dhëna dhe një këshilli pa përkrahjen e sindikatës, kanë vazhduar grevën me të vetmen kërkesë, rritjen e pagave të tyre, raporton KTV.
Drejtori i klinikës abdominale, Rifat Bajrami, ka thënë se Këshilli ka vendosur për të mos e ndërprerë grevën.
Ndërsa, në klinikën e Syve, stafi mjekësor ka thënë se gjatë gjithë javës, me përjashtim të rasteve emergjente nuk është trajtuar asnjë tjetër.
Në letrën në të cilën kanë dhënë nënshkrimet rreth 100 mjekë, thuhet se kërkesat e tyre janë të panegociueshme.
Por, nga veprimet e kolegëve të tyre, është distancuar kryetari i Federatës Sindikale të Kosovës, Blerim Syla, i cili ka thënë se mjekët kirurgë nuk e kanë përkrahjen e Sindikatës për këtë grevë.
Syla përmes telefonit, ka paralajmëruar se greva në nivel nacional, është shtyrë për shkak të festës së Krishtlindjes dhe se ajo do të mbahet ditën e mërkurë.
Derisa kërkesa e vetme e mjekëve është rritja e pagave të tyre të njëjta me ato të prokurorëve dhe gjyqtarëve, janë pacientët të cilët nuk i kanë marrë shërbimet e duhura gjatë gjithë javës.
Prapa kamerave, ata kanë shprehur shqetësimet e tyre, për faktin se sipas tyre, rrallëherë rastis të shohin mjekë dhe diçka e tillë, i ka shoqëruar gjatë gjithë javës.
Një ditë para se Federata Sindikale e Shëndetësisë të mblidhte këshillin e saj, gjatë një diskutimi me anëtarët e Komisionit për Shëndetësi kishin paralajmëruar greva, protesta, e madje edhe mosdhënie të ndihmës mjekësore, në rast se niveli qendror nuk do të merrte parasysh kërkesat e tyre për rritje të pagave.