Kirurgët vazhdojnë grevën në QKUK

10:06 | 16 Janar 2019

Greva e kirurgëve në QKUK po vazhdon edhe sot.

Arbër Morina, përfaqësues i Kolegjiumit të Kirurgëve, tha se do të vazhdojë greva e kirurgëve në QKUK dhe nuk do të ndërpritet derisa institucionet gjegjëse të Kosovës do t’i plotësojnë kërkesat e tyre.

“Sot është dita e 23-të e grevës, ne jemi edhe më të fortë për vazhdimin e grevës”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës.

Sipas tij, kjo grevë ka filluar me operacionet e planifikuara. Ai tha se çdo hyrje në operacion që paraqet rrezikun e jetës së pacientëve, kirurgët i kryejnë.

“Ne kryejmë operacionet urgjente, kurse nuk kryhen operacionet e planifikuara, tani në grevë është edhe Spitali i Ferizajt”, tha ai.

Morina bëri me dije se janë të distancuar nga sindikata. “Ajo sindikatë nuk i ka përfaqësuar kërkesat tona. Sindikata është dashur t’i mbështesë kërkesat tona”, tha ai

Komento: