Kirurgjia Vaskulare realizon me sukses ndërhyrjen në arterien që furnizon trurin me gjak

13:26 | 01 Shtator 2025
Kirurgjia Vaskulare realizon me sukses ndërhyrjen në arterien që furnizon trurin me gjak

Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare të QKUK-së, është realizuar me sukses një ndërhyrje delikate kirurgjikale në arterien karotide, arteria që furnizon trurin me gjak.

Sipas njoftimit tw ShSKUK-së, pacienti 84-vjeçar, i cili dy javë më parë kishte përjetuar një atak ishemik tranzitor, si pasojë e ngushtimit të arteries karotide interne të djathtë rreth 80%, iu nënshtrua operacionit duke përdorur anestezion lokal (bllok anestezioni).

Në njoftim thuhet se ky është një inovacion i aplikuar kohëve të fundit në Klinikën Vaskulare, i cili shmang nevojën për anestezion të përgjithshëm dhe zvogëlon komplikimet e mundshme që lidhen me të.

“Gjatë operacionit, pacienti qëndroi i vetëdijshëm dhe nën monitorim të vazhdueshëm të funksioneve neurologjike, duke rritur sigurinë e procedurës. Kjo metodë bashkëkohore ofron avantazhe të shumta për pacientët, si rikuperim më të shpejtë, ulje të rreziqeve kardiopulmonare, qëndrim më të shkurtër në spital dhe rehabilitim më të lehtë”, thuhet në njoftim.

“Ndërhyrja u krye me sukses nga ekipi mjekësor i përbërë nga Dr. Hajri Rudari, Dr. Harjeta Zherka-Saraqini, Dr. Lendita, Dr. Lavdim Morina, specialist i anestezionit, Dr. Pranvera Maloku, specializua te e anestezionit, instrumentiste Mirdita Menxhiqi dhe Mirvete Hajdini, teknike e anestezionit”.

Komento: