Kjo deklaratë e Driton Kukës duhet ta skuq kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmetin

17:50 | 25 Shkurt 2020

Gjudistja kosovare, Majlinda Kelmendi do të nderohet me një statujë që do të përurohet më 28 Shkurt në Pejë.

Ani pse kjo statujë ishte planifikuar që të vendoset në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë së bashku me statujën e legjendës të futbollit Fadil Vokrri, një gjë e tillë nuk pritet të ndodh.

Kjo pasi që sipas trajnerit më të sukseshëm kosovar, njëkohësisht trajnerit të Majlinda Kelmendit, Driton Kukës, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ende nuk i ka kthyer përgjigje për hapësirën e liruar për vendosjen e kësaj statuje.

I pyetur nga KosovaPress se cila është arsyeja që statuja e Majlinda Kelmendit është zhvendosur për në Pejë, Kuka është shprehur: “Këtë pyetje ia bëni Shpend Ahmetit. Ai as mua nuk më ka kthyer përgjigje”.

Ndërkohë që drejtori për sport në Komunën e Prishtinës, Fitim Rexha është shprehur se nuk ka qenë e mundur që komun a ta gjejë një vend adekuat për shtatoren e Majlindës, mirëpo nuk ka cekur ndonjë arsye.

“Drejtoria për Sport e ka përkrahë vendosjen e Statujës së Majlindës në Prishtinë, mirëpo nuk kemi mundur të gjejmë lokacion të dinjitetshëm për vendosjen e statujës”, ka thënë Rexha për KosovaPress.

Driton Kuka edhe më parë kishte kritikuar kryetarin e komunës, Shpend Ahmetin të cilin e kishte akuzuar për mos përgjigje për vendin e kësaj statuje.

“Po e ndaj me ju një informacion! Statuja e Majlindes po vjen në Kosovë. Kërkesa e jonë nëpërmes Ministrisë drejtuar Komunës së Prishtinës qysh në muajt e verës deri sot ka mbet pa përgjigje! E kemi menduar Statujën të ngritët në kryeqytet si Kampionia e parë dhe e vetme Olimpike por kot! Kryetari i Prishtinës asnjë informatë për këtë çështje”, kishte shkruar Kuka në Facebook.

Përurimin e shtatores së Kelme ndit do ta bëjë presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, i cili do të jetë i pranishëm edhe në ceremoninë e Laureatëve 2019, të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës më 27 shkurt.

Majlinda është sportistja e vetme e Kosovës me medalje Olimpike. Ajo fitoi të artën në kategorinë -52 kg të xhudos në Lojërat Olimpike RIO 2016.

Komento: