Stërvitje dhe konferencë, zbulohet agjenda e sotme e Kombëtares së Kosovës.
Kontingjenti i Kombëtares së Kosovës është rikthyer në Kosovë pas ndeshjes që e zhvilloi të shtunën me Izraelin.
“Dardanët” e nxorën një barazim të kënaqshëm në Tel Aviv, i cili ua ngriti moralin dhe motivin para ndeshjes së nesërme me Andorrën, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024.
Federata e Futbollit të Kosovës e ka zbuluar agjendën e sotme të Verdhekaltërve, shkruan Gazeta Express.
Me këtë rast, selektori Alain Giresse do të mbajë konferencë për media në orën 17:00, ndërsa stërvitja e parë e Kombëtares do të nisë në orën 17:30.
Ndërkaq, është bërë e ditur po ashtu se Kombëtarja e Andorrës do të mbajë konferencë për shtyp në orën 18:15, ndërsa do të stërvitë në orën 19:00.
Krejt këto aktivitete do të mbahen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, aty ku do të zhvillohet edhe ndeshja nesër mbrëma, duke filluar nga ora 20:45.
“Dardanët” synojnë ta regjistrojnë fitoren e parë në këto eliminatore, në rrugëtimin e tyre drejt kualifikimit në Evropianin e Gjermanisë.