Kjo është deklarata e Granit Xhakës me udhëtimin në Serbi

16:09 | 28 March 2023

Deklarata e Xhakës lidhur me udhëtimin në Serbi.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me trajnerin Murat Yakin, kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka folur edhe në lidhje me fitoren ndaj Bjellorusisë në ndeshjen e Zhvilluar në Serbi.

Për shkak të sanksioneve të UEFA-s, bjellorusët kanë zgjedhur që ndeshjet si vendas t’i zhvillojnë në Novi Sad, ku duhet të luajnë pa praninë e tifozëve.

Në stadiumin ‘Karadorde’, ku ndeshja ishte e mbyllur për gjithë publikun, Xhaka me bashkëlojtarë ishin bindës në triumfin prej 5-0.

Siç transmeton Blick, në konferencë, kapiteni i Helvetikëve fillimisht ka folur për lojën e veçantë në Serbi që u zhvillua të shtunën që lamë pas dhe si e përjetoi udhëtimin në Novi Sad.

“Doja shumë të isha atje, e analizuam paraprakisht së bashku dhe në fund vendosëm që do të shkoja. Gjithçka kishte të bënte me sportin, kështu që jam i lumtur që isha atje dhe mund ta ndihmoja skuadrën”, citohet të ketë thënë 30-vjeçari.

Ai është pyetur nëse ka qenë ndonjëherë më i fortë se tani? Xhaka përgjigjet pak e tensionuar: “Mendoj se as 13 vitet e fundit nuk ishin aq të këqija. Nëse kam qenë ndonjëherë më i mirë apo jo, duhet të gjykojnë të tjerët”.

NZZ njofton se Federata e Zvicrës kishte kërkuar nga UEFA që ta zhvillonin ndeshjen ndaj Bjellorusisë në një vend tjetër. Po, ashtu ishte konsideruar mundësia e udhëtimit në Novi Sad pa Xhakën dhe Xherdan Shaqirin, për t’i shmangur provokimet e mundshme. Pas marrëveshjes me federatën për të udhëtuar, Graniti ishte marrë vesh se do të fliste për mediat vetëm pas ndeshjes.

“Jam i lumtur që gjithçka shkoi mirë dhe u kthyem në shtëpi me tri pikët”, është shprehur tutje Xhaka.

Komento: