
Trajneri Xabi Alonso ka deklaruar se te Real Madridi të gjithë po “shkojnë në të njëjtin drejtim”, pasi skuadra madrilene siguroi një fitore të rëndësishme morale 2-1 ndaj Alavesit në La Liga.
Pozicioni i Alonsos raportohet se ka qenë temë diskutimi në hierarkinë e klubit vetëm gjashtë muaj pas marrjes së drejtimit të ekipit, por fitorja e së shtunës në stadiumin “Mendizorroza” ka zbutur ndjeshëm presionin mbi ish-mesfushorin.
“Jemi të gjithë bashkë në këtë rrugëtim, skuadra garoi shumë mirë”, deklaroi Xabi Alonso pas përfundimit të ndeshjes.
“Bashkimi është themelor për ne, është e vetmja mënyrë për të pasur stabilitet dhe për të bërë përmirësimet që duam”.
“Jemi shumë të fokusuar në atë që po bëjmë dhe jemi të gjithë së bashku, duke u përgatitur për një ndeshje çdo tre ditë. Kjo frymë duhet të vazhdojë, sepse një ndeshje nuk mjafton. Ka ende një rrugë të gjatë përpara dhe duhet vazhdimësi”.