Kjo është gjendje në Merdare

19:02 | 13 August 2019

Shumica e mërgimtarëve tashmë po kthehen në vendet e Evropës ku jetojnë e veprojnë.

Kolonat dhe pritjet e gjata janë shndërruar në një dukuri pothuajse të përditshme gjatë sezonit veror në pikën kufitare Merdare.

Për kolonat e gjata dhe pritjet shumë orësh, autoritetet e Kosovës patën akuzuar Beogradin zyrtar se nuk po i kryen detyrat në pajtim me marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë.

Por, sot në pikën kufitare në Merdare ishte ndryshe nga ditët e tjera, kur mund të shiheshin kolonat e gjata të veturave.

Derisa pushimet verore për mërgimtarët pothuajse kanë përfunduar, dhe të njëjtit duhet të kthehen në vendet ku jetojnë, ata shprehen të pakënaqur me kolonat që po bëhen çdo vit, duke fajësuar institucionet e vendit.

Bashkatdhetarët tanë, pothuajse janë bërë imun nga pritjet e gjata deri në shtatë orë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, kjo është hera e parë që Islam Sopajt nuk i bie të presë deri në shtatë orë për të hyrë në Kosovë, ose për t’u kthyer në vendin ku jeton dhe punon.

Për këto pritje ai fajëson institucionet e Kosovës, për të cilat thotë se janë treguar neglizhente që nga paslufta.

“Ne kemi menduar që ka… në këto sezone nuk ka ndodhë asnjëherë mos të ketë, në shtator ka pasur mundësi por… Institucionet e dinë vetë, nuk është se nuk e dinë çfarë po heq populli i vet, jo vetëm sot por ne jemi duke hequr që nga paslufta, e kemi këtë problem. Unë kam pritur, shtatë orë, tetë orë, sot jo”, tregon ai.

Megjithatë, ani pse sot ka pasur rënie të këtyre kolonave, Isak Beka nga Mitrovica, i cili po udhëtonte drejt Gjermanisë, thotë se është i gëzuar që së paku sot nuk po përballen me pritje të gjata, derisa uron që të mos ketë kolona as në pikat tjera kufitare.

“Shumë mirë, u gëzuam kur e pamë normal…Shpresoj që edhe në Hungari të jetë kështu edhe të kalojmë mirë. Ka të vijmë e kemi më lehtë se po vijmë, por kur të shkojmë e kemi më zor, përtojmë të shkojmë, normalisht”, thotë ai.

E Arsim Morina, i cili po udhëton për në Hungari, tha për KosovaPress se duke parë fluksin e madh gjatë këtyre ditëve, është çuditur që sot nuk ka kolonë në këtë pikë kufitare.

“U çuditëm vërtet që nuk ka, menduam që ka kolona, shpresoj kalojmë mirë kufijtë tjerë… andej presim të ketë”, thekson ai.

Edhe Safet Ahmeti, i cili është duke u kthyer për në Gjermani, uron që të mos ketë pritje të gjata në pikat tjera kufitare.

“Shumë mirë, ndoshta prej vapës së madhe… mund të ketë në Suboticë se vijnë prej tjerave shtete, këtu mirë një herë për një herë”, tregon Ahmeti.

Sipas Qendrës për Menaxhim Kombëtar, pritjet për të dalë nga Merdare janë 10-15 minuta, ndërsa hyrjet 5-10 minuta, derisa kolona është e gjatë 30 metra. Të paktën kështu ka qenë fluksi në këtë pikë kufitare deri në orën 17:00.

Derisa para disa ditësh në këtë pikë kufitare kolona kishte arritur deri në 2 kilometra për të dalë nga Kosova, ndërsa për të hyrë në Kosovë pritjet kanë qenë deri në një orë.

Për këtë kishte reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, i cili kishte akuzuar palën serbe për kolonat dhe vonesat me orë të tëra në vendkalimet kufitare me Serbinë.

Komento: