Gjykata Speciale ka nisur punën zyrtarisht sot.
Kryeministri Hashim Thaçi kishte vetëm 2 ditë nga fitorja për herë të dytë e zgjedhjeve parlamentare, kur u trondit nga një shkrim i gazetës kryesore britanike “The Guardian”.
Në dhjetor 2010, gazetari Paul Lewis publikoi pjesë të raportit të senatorit zviceran Dick Marty të Këshillit të Evropës, me titullin “Kryeministri i Kosovës është udhëheqës i trafikimit me organe njerëzore dhe me armë, thotë një raport i Këshillit të Evropës”, raporton KTV.
Raporti e përshkruante Thaçin si udhëheqës i një grupi mafioz shqiptar që trafikonte heroinë, armë dhe organe njerëzore.
Aty flitej për të ashtuquajturën Shtëpia e Verdhë në Shqipëri, ku Marty pretendonte se ishin nxjerrë organet e të burgosurve serbë.
Raporti u prit me shok të madh në Kosovë, dhe vetë Thaçi në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi paralajmëroi padi për gazetën britanike, që gjë nuk ndodhi kurrë.
Pretendimet e reja e kthyen fokusin e mediave ndërkombëtare, dhe prania e huaj në Kosovë nisi menjëherë kërkesat që gjetjet alarmante të raportit të adresoheshin.
Për të ndodhur kjo, u deshën vite të tëra, por në një fazë kërkesa ishte e qartë: vetë Kosova duhej të formonte një gjykatë të re, që do ta kishte selinë jashtë saj.
Personazhi kryesor i raportit inkriminues të Martyt, Hashim Thaçi, u bë lobuesi më i madh i krijimit të kësaj gjykate.
Argumenti kryesor që ai përmendi ishte se nëse gjykata nuk votohet nga institucionet e Kosovës, këtë do ta bënte OKB-ja, ku rol të rëndësishëm do të kishte edhe Federata Ruse.
Por, për t’u materializuar kjo, janë dashur vite të tëra, e vendimtari ka qenë viti 2015.
Rezistencë, Thaçi, që në këtë kohë ishte ministër i Jashtëm, haste te deputetët e partisë së tij, PDK.
Disa prej tyre, duke përfshirë Ganimete Musliun, Xhevahire Izmakun e Nait Hasanin, thanë se ata, me dorën e tyre, nuk do ta votonin një gjykatë që do të merrej vetëm me shqiptarët.
Në këtë mënyrë, ndryshimi i Kushtetutës dështoi në përpjekjen e parë, më 26 qershor 2015.
75 deputetë votuan për, 7 ishin kundër dhe 2 abstenuan, duke munguar 5 vota, nga 2/3 sa ishin të nevojshme.
Përtej çdo praktike parlamentare, Qeveria e Isa Mustafës e solli sërish në votim ndryshimin e Kushtetutës, dhe më 3 gusht, 82 deputetë votuan për, 5 ishin kundër dhe vetëm një abstenoi. Disa prej deputetëve të PDK-së u detyruan ta votojnë atë.
Thirrja vendimtare në seancë erdhi sërish nga Hashim Thaçi. Kundër doli opozita e atëhershme, Vetëvendosje, AAK dhe NISMA.
Votimi i deputetëve krijoi bazën ligjore që kjo gjykatë me pronësi Kosovën, por me gjykatës e prokurorë të huaj, të nisë punën për të hetuar e më pas gjykuar, krimet e pretenduara të UÇK-së.
Selia do të vendosej në Hagë, aty ku të pafajshëm në procese maratonike kishin dalë më herët, ndër të tjerë Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj.
Kësaj gjykate i janë dashur vite për procedura të brendshme dhe krijim organesh e mekanizmash për funksionim, dhe ka pasur ndërrim prokurorësh kryesorë që kanë qenë amerikanë.
Të dyshuarit potencialë kanë pritur gjithmonë në ankth për lëvizjet nga Haga, por një lëvizje e madhe ka ndodhur më 22 dhjetor 2017 në Kuvendin e Kosovës.
Me iniciativë të tani Presidentit Hashim Thaçi, 40 deputetë të koalicionit qeveritar PDK-AAK-NISMA, thirrën seancë të jashtëzakonshme për të shfuqizuar ndryshimet kushtetuese dhe për të zhbërë Specialen.
Lëvizja alarmoi SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, me ambasadorin O’Connell që e quajti përpjekjen, natën më të rrezikshme të pasluftës në Kosovë.
Opozita LDK-VV nuk e përkrahu idenë, dhe ajo mbeti vetëm një tentativë e Presidentit Thaçi që u pa si shantazh ndaj faktorit ndërkombëtar për të rregulluar pozicionin e tij, që nënkuptonte mos-thirrjen e tij nga Haga.
Portalet dolën vazhdimisht me tituj që pas këtij apo atij viti të ri, do të nisnin ftesat nga Specialja, por gjithçka u zyrtarizua më 6 dhjetor kur KTV-ja raportoi se ftesat e para kanë mbërritur dhe se intervistimet nisin në janar.
Rrustem Mustafa u bë i pari, Sami Lushtaku i dyti dhe të tjerë emra të profilit më të ultë do të udhëtojnë në Hagë.
Ata për atje i ka përcjellë me buzëqeshje krye-protagonisti i raportit të Martyt, Hashim Thaçi.