Kjo është koha kur një person konsiderohet plotësisht i shëruar nga koronavirusi

09:01 | 06 April 2020

Koha kur një person konsiderohet plotësisht i shëruar nga koronavirusi.

Saktësisht, sa njerëz shërohen nga Covid-19? Është një pyetje për të cilën duam të gjithë përgjigje, megjithëse është e vështirë të përcaktohet saktësisht sa.

Shumica e njerëzve me Covid-19 kanë simptoma të buta dhe janë në gjendje të shërohen shpejt pa qenë nevoja të qëndrojnë nën kujdesin mjekësor, referuar të dhënave të Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Edhe pse ka të dhëna rajonale, kombëtare dhe globale për rastet e vdekjeve, nga ana tjetër ka një mungesë të theksuar të të dhënave përsa i përket rasteve të shëruara.

Johns Hopkins University – të dhënat e të cilit publikohen në çdo artikull të Anabel në lidhje me numrin total të të infektuarve, të shëruarve dhe viktimave – ishte ndër të paktët institucione që ka ndjekur që prej janarit edhe numrin e të shëruarve.

Kategoria e njerëzve të shëruar filloi kur virusi ishte i përqëndruar në Kinë dhe mediat lokale po lëshonin raporte zyrtare,” tha për CNN një zëdhënës i John Hopkins University.

Megjithatë është e vështirë të përcaktosh saktë numrin e të shëruarve pasi raportet në disa shtete bazohen te raportimet e mediave lokale dhe me gjasë numri i personave që kanë përballuar me sukses Covid-19 është më i lartë.

Pse gjurmimi i rasteve të shëruara është i rëndësishëm?

Njohja me numrin e rasteve që janë shëruar mund të sigurojë të dhëna të përgjithshme të numrit të të infektuarve dhe jo vetëm.

Njohja e këtyre rasteve shërben si pikë e rëndësishme për të kuptuar se kur do të zhduket Covid-19 dhe në cilin moment njerëzit do t’i kthehen jetës normale.

Kur një person konsiderohet i shëruar?

Referuar vrojtimit të Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjes, një person konsiderohet i rikuperuar nëse plotëson këto tri kritere:

1 – Nuk ka temperaturë për të paktën 72 orë pa përdorur ilaçe dhe nuk përjeton ethe.

2 – Përmirësohen simptoma të tjera, si kolla dhe vështirësia në frymëmarrje.

3 – Ka kaluar një periudhë prej të paktën 7 ditësh nga shfaqja e simptomave të parë.

4 – Nëse testimet për Covid-19 dalin negativ dy herë radhazi, me një diferencë prej 24 orësh nga njëri-tjetri.

Megjithatë me termin “i shëruar” nuk do të thotë se pacienti është i shëndetshëm, pasi ka shumë pacientë që ndihen të lodhur dhe kanë kollë, ndonëse i kanë plotësuar kriteret e gjendjes së rikuperuar.

Komento: