Koalicioni AAK-NISMA-Konservatorët-E3 dhe Ideal e kanë dorëzuar në KQZ listën prej 110 kandidatëve për deputetë.
Bartës i kësaj liste është kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, që është edhe kandidat i këtij koalicioni për kryeministër, teksa numër dy është kryetari i Nismës, Fatmir Limaj.
Ajo që bie në sy në listën e kandidatëve për deputetë nga ky koalicion është përfshirja e Isni Kilajt, i cili e mban numrin 29, kandidat i propozuar nga Nisma. Isni Kilaj javën e kaluar është arrestuar nga Gjykata Speciale dhe aktualisht po mbahet në paraburgim.
“Me politikanë me përvojë, pjesëtarë nga shoqëria civile, njerëz të dëshmuar në udhëheqje e në sektorë jetikë për vendin, janë garanca më e fortë e përfaqësimit të zërit të qytetarit në Kuvendin e Kosovës”.
“Të fokusuar në cilësinë e një përfaqësimi sa më dinjitoz, gjinor, rajonal e sektorial, Lista e Koalicionit të udhëhequr nga kandidati për Kryeministër dhe bartës i listës, Ramush Haradinaj, është Listë për Kosovën Fituese”, thuhet në njoftimin e AAK-së.
Dhjetësha e parë e kësaj liste përbëhet nga Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Time Kadriaj, Ardian Gjini, Nuredin Lushtaku, Albana Bytyqi, Pal Lekaj, Bekë Berisha, Xhevahire Izmaku dhe Besnik Tahiri.