Kjo është oferta e Manchester Unitedit për Solskjaer

09:41 | 08 Mars 2019

Manchester United i ka bërë ofertë trajnerit norvegjez.

Trajneri në detyrë Ole Gunnar Solskjaer do ta fitojë vetëm gjysmën e pagës që Jose Mourinho e kishte gjatë kohës sa ishte trajner i Manchester Unitedit, nëse arrin ta fitojë pozitën e trajnerit edhe pas përfundimit të këtij sezoni.

Mourinho paguhej 17.5 milionë euro për sezon nga “Djajtë e kuq”, ndërsa paga e Solskjaer pritet të jetë vetëm 8.7 milionë euro, transmeton Express.

Solskjaer i ka fituar 14 ndeshje dhe i ka barazuar dy të tjera, që kur u emërua në këtë pozitë. Disfata e tij e vetme erdhi në kuadër të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, kur Paris Saint-Germaini e fitoi ndeshjen e parë me rezultat 2:0, në Old Trafford.

Mirëpo, parisienët e humbën ndeshjen kthyese, me rezultat 3:1, duke bërë kështu që skuadra e Ole Gunnar Solskjaer të kualifikohet në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, për shkak të golave të shënuara si mysafir.

PSG-ja e dominoi ndeshjen, duke e mbajtur 73 për qind të topin gjatë ndeshjes, mirëpo francezët bënë vetëm katër goditje në drejtim të portës, po aq sa anglezët. Fati i tyre u përcaktua nga një penallti e Marcus Rashfordit, në minutën e katërt të minutave shtesë.

Solskjaer u emërua në pozitën e “Djajve të kuq” më 19 dhjetor, duke e lënë përkohësisht punën e tij si trajner i klubit norvegjez, Molde. Kontrata e norvegjezit me Manchester Unitedin është e vlefshme deri në maj të këtij viti.

Përkundër që Manchester Unitedi e kishte pasur qëllim ta emëronte një trajner më përvojë dhe famë, pas shkarkimit të Jose Mourinhos më 18 dhjetor, Solskjaer tani është favoriti për ta marrë këtë pozitë, duke i mposhtur deri më tani trajnerin e Tottenhamit, Mauricio Pochettinon, dhe atë të Juventusit, Massimiliano Allegrin.

Komento: