Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u është përgjigjur reagimeve të ashpra të ambasave lidhur me rastin e gylenistëve.
Shefi i ekzekutviti ka renditur hapat që, sipas tij, ka bërë për zbardhjen e dëbimit të shtetasve turq.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka folur edhe njëherë rreth hetimeve që janë bërë prej kur u dëbuan gjashtë shtetas turq, në fshehtësi të plotë nga institucionet e siguris.
Në fund, Haradinaj ka shkruar se asnjë institucion i sigurisë nuk mund të shkelë të drejtat e njeriut.
“Zbardhja e të vërtetës, përgjegjësve dhe shmangieve ligjore do t’i ndihmonin ndërtimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë institucion i Kosovës nuk do të shkelë mbi të drejtat universale të njeriut”, thuhet në një shkrim të Kryeministrit, të publikuar në Facebook.
Postimi i plotë:
Duke respektuar kompetencat e përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe duke respektuar legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës kam konsideruar me rëndësi vitale ndriçimin e plotë të ngjarjes së dëbimit me forcë të shtetasve turq nga Kosova.
Për ta adresuar këtë situatë menjëherë kam marrë masa institucionale duke shkarkuar Drejtorin e AKI-së dhe Ministrin e Punëve të Brendshme që kanë pasur përgjegjësi direkte mbi rastin.
Me angazhim të plotë për të qartësuar përgjegjësitë institucionale, shmangiet e mundshme kushtetuese dhe ligjore, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe, mbi të gjitha, garantimin e sigurisë kombëtare, kam kërkuar raporte hetimore nga Kryeprokurori i Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Inspektorati Policor i Kosovës, Autoriteti Civil i Aviacionit, Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror.
Gjithashtu në respektim të llogaridhënies dhe ndarjes e kontrollit të pushtetit, i jam përgjigjur ftesës së Komisionit ad-hoc parlamentar që heton largimin me forcë të shtetasve turq. U jam përgjigjur pyetjeve të tyre dhe ju kam dorëzuar raport zyrtar mbi të gjitha veprimet e ekzekutivit.
Hapat e ndërmarrë nga ekzekutivi janë garantues se në situata të ngjashme ne do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjeve të Kosovës. Pa asnjë paragjykim, sundimi i ligjit do të jetë rruga jonë e vetme.
Zbardhja e të vërtetës, përgjegjësve dhe shmangieve ligjore do t’i ndihmonin ndërtimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë institucion i Kosovës nuk do të shkelë mbi të drejtat universale të njeriut.
RH