Rruga e shpejtë për marrjen e pasaportës, Kabineti i Sveçlës vendos kush e ka urgjent.
Rruga e vetme për t’u pajisur me pasaporta, aktualisht është vetëm përmes Kabinetit të Ministrit Xhelal Sveçla. Shkaku i mungesës së materialit, pasaportat po lëshohen vetëm për raste që Ministri i ka quajtur urgjente. Por, cilat janë këto raste, kur do të zgjidhet ky problem e pse po përsëritet shpesh? Përgjigjet i ka dhënë vetë Sveçla.
Qytetarët do të duhet të presin edhe disa javë për t’u pajisur me dokumente personale. Letërnjoftimet e patentë-shoferët do të vijnë në fund të muajit, e ata që kanë aplikuar për pasaporta do të duhet të presin deri vitin e ardhshëm. Saktësisht edhe dy muaj.
Përjashtim bëjnë rastet që konsiderohen të natyrës emergjente, që kalojnë edhe përmes Kabinetit të Ministrit Xhelal Sveçla.
Anipse vetë Sveçla deklaroi sot se nuk e ka problem ta bëjë publike listën e personave që janë pajisur me pasaporta dhe kriteret në bazë të të cilave u janë lëshuar, Kabineti i tij s’është përgjigjur në pyetjet e Gazetës Express për numrin e kërkesave që kanë pranuar, ato që i kanë aprovuar dhe kriteret.
Gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, Sveçla ka thënë se në me këtë problem po përballen shkaku i luftës në Ukrainë, meqë po ka mungesë të lëndës së parë.
Letërnjoftimet e patentë-shoferët ka thënë se do të vijnë në fund të nëntorit, e pasaportat pas dy muajsh.
“Ministria e Punëve të Brendshme është në pritje për furnizim me dokumente personale, ku fillimisht në fund të këtij muaji do të furnizohemi me patentë shofer e letërnjoftime dhe pas dy muajve me pasaporta, gjithsej 73 mijë cope”, ka thënë Sveçla.
Ministri ka treguar edhe rastet kur dikush mund të pajiset me pasaporta, pa pasur nevojë të presë.
“Çfarë ka bërë Agjencia e Regjistrimit Civil, është që duke pasur parasysh numrin e limituar të dokumenteve që i kemi në dispozicion, kanë prioritizuar lëshimin e dokumenteve për kategori me urgjencë, që do të tjhotë rastet e sëmundjeve, rastet e bashkimeve familjare, rastet e aktiviteteve sportive, diplomacia e këto kategori kanë prioritet, kurse për qytetarët e tjerë më vjen keq, por duhet t’ju përshtatemi rrethanave në të cilat po jetojmë dhe unë jam duke punuar jashtëzakonisht shumë edhe me kompaninë qe ajo sa më parë të sigurojë, të furnizojë vetveten me landën e parë dhe pastaj me dokumentacionin e nevojshëm për ta sjellë në Kosovë”, ka deklaruar Ministri, pas interesimit të disa deputetëve për këtë çështje.
Sveçla tha edhe se mund ta bëjë publike listën e personave që janë pajisur me pasaporta dhe arsyet.
“Ka një listë të profesioneve dhe arsyeve prioritare për t’u furnizuar me pasaporta dhe është duke e menaxhuar Agjencia për Regjistrimin Civil. Nuk kam kurrfarë telashe me ba publike kushdo që merr pasaportë dhe arsyen pse. Ekziton një numër i limituar që marrin pasaportë për të udhëtuar, këto janë urgjencat , Ekziston kontrata e cila është ende valide dhe me kohë janë bërë porositë”, ka deklaruar Sveçla.
Me pritje të tilla për furnizim me dokumente, qytetarët janë përballur edhe në fillim të muajit gusht, periudhë kur zakonisht mërgimtarët aplikojnë për të ripërtërirë dokumentet e tyre.
Sipas MPB’së, kjo kishte ndodhur shkaku i një avarie në njërën prej pajisjeve për personalizim të dokumenteve.
“Ministria e Punëve të Brendshme përkatësisht Agjencia e Regjistrimit Civil, njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se nga e Hëna – datë 1 gusht 2022 ka pasur avari njëra nga pajisjet për personalizim të dokumenteve gjë që e ka pamundësuar pajisjen me dokumente personale për qytetarët. Pas angazhimit tre ditor të personelit teknik të Departamentit të Prodhimit të Dokumenteve në kuadër të Agjencisë së Regjistrimit Civil, sot është riparuar pajisja dhe menjëherë ka filluar procedimi i dokumenteve personale”, njoftonte atëherë Ministria.
Ministria hapi tender 12 milionë euro për furnizim me dokumente, e anuloi pas një muaji
Në prill të këtij viti, Ministria e Punëve të Brendshme kishte shpallur tender për furnizim me dokumente personale të identifikimi dhe mirëmbajtje të sistemeve elektronike.
Për këtë tender, Ministria kishte planifikuar të shpenzonte mbi 12 milionë euro. Kohëzgjatja e kësaj kontrate do të ishte për 36 muaj.
Por, ky aktivitet prokurimi ishte anuluar tek pas një muaji, ende pa u hapur tenderi.
“Për shkak të mos përgatitjes në nivelin e duhur të Specifikave teknike dhe gabimeve në përcaktimin e formës-dizajnit të dokumenteve personale”, ishte arsyeja që kishte dhënë Ministria për anulimin e tenderit.