
Evisa Pacolli është shpallur zyrtarisht fituesja e titullit prestigjioz Miss Universe Kosova 2026”.
Bukuroshja 21-vjeçare arriti të triumfojë në spektaklin e organizuar nën drejtimin e producentit Eduart Deda, duke siguruar kështu të drejtën e plotë për të përfaqësuar Kosovën në skenën më të madhe të bukurisë botërore, në “Miss Universe 2026”.
Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në Instagram, Evisa u shpreh e mrekulluar nga kjo arritje.
“Nuk kam fjalë… Jam jashtëzakonisht mirënjohëse për këtë eksperiencë dhe që pata mundësinë të punoj me gra aq të bukura. Dua të falënderoj njerëzit që më dhanë këtë mundësi që vjen vetëm një herë në jetë dhe që bënë ëndrrat e mia realitet,” shkroi ajo krahas fotos ku shfaqet në momentin magjik të vendosjes së kurorës.
Evisa Pacolli sjell një histori mjaft interesante në këtë edicion, pasi ajo është lindur dhe rritur në Kanada nga prindër shqiptarë. Pjesëmarrja dhe suksesi i saj shënojnë një moment krenarie edhe për diasporën shqiptare, duke qenë se ajo udhëtoi nga Kanadaja për t’iu bashkuar kësaj gare me synimin e qartë për të përfaqësuar vlerat, kulturën dhe traditat kombëtare.
Me marrjen e këtij titulli, rrugëtimi i Evisës sapo ka filluar. Ajo do të nisë përgatitjet intensive për të përfaqësuar denjësisht Kosovën në edicionin e 75-të të “Miss Universe 2026”, i cili është planifikuar të mbahet në muajin nëntor në San Juan, Porto Riko.
