Vozitja në gjendje të dehur së shpejti do të klasifikohet si vepër penale.
Derisa për ngasje të automjetit nën ndikimin e alkoolit, deri këtë vit, dënimi ka qenë vetëm me gjobë dhe ndalim të drejtimit të veturës, nga muaji i ardhshëm kjo do të konsiderohet vepër penale.
Ndryshimet në Kodin Penal, i cili pritet të hyjë në fuqi në muajin prill, ngasjen nën ndikim të alkoolit e parashohin si vepër penale, raporton KTV.
Neni 371 i Kodit Penal parasheh se nëse një person kryen aksident nën ndikim të alkoolit, mund të dënohet deri në 3 vjet.
E gjithë kjo, sipas prokurorit Besim Kelmendit, u bë me një qëllim – uljen e numrit të lartë të aksidenteve në trafik.
Por, ekspertët e komunikacionit po thonë se ky nen i Kodit Penal të Kosovës është në kundërshtim me Ligjin për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor.
Policia e Kosovës ka disa muaj që ka nisur me një sërë planesh operative për parandalimin e aksidenteve në trafik.
Në mesin e tyre ishte edhe një plan operativ për ngasjen nën ndikim të alkoolit.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, vetëm brenda 16 ditëve të para të këtij muaji, u shqiptuan 102 gjoba ndaj kundërvajtësve.
Ndonëse ka një rënie të lehtë të aksidenteve në trafik, për shefin e njësisë së hetimeve, shqetësuese mbeten aksidentet me fatalitet.
Vetëm brenda këtij viti, në rajonin e Prishtinës, 9 këmbësorë humbën jetën si shkak i aksidenteve.