Kjo ndodhi dje në Samitin e Berlinit

08:03 | 30 April 2019

Samiti i Berlinit ka përfunduar pa ndonjë rezultat konkret sa i përket çështjes së dialogut Kosovë-Serbi.

Në kryeqendrën gjermane nuk gjeti përkrahje ideja e presidentit Hashim Thaçi për kufijtë, nuk është arritur pajtim për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe, por nuk pati as sinjal për heqje të vizave nga Bashkimi Evropian, shkruan gazeta “Zëri”.

Takimi i Berlinit, i mbajtur gjatë ditës së djeshme, ka përfunduar pa ndonjë rezultat konkret sa i përket çështjes së dialogut Kosovë-Serbi. Ndonëse në Samitin e Berlinit u diskutua rreth mundësisë së vazhdimit të negociatave mes dy vendeve, pala serbe ka ripërsëritur se nuk do të vazhdojë dialogun pa u hequr taksa, kurse pala kosovare ka theksuar sërish qëndrimin e saj, duke thënë se nuk pranon kushtëzime nga Serbia.

Në takimin e 29 prillit 2019, ku morën pjesë liderët e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, nuk u dha kurrfarë sinjali se mund të ketë heqje të vizave për Kosovën. Përkundrazi kreu i shtetit, Hashim Thaçi, tha se çështja e liberalizimit u përball me një pozicion injorues në takim. Në anën tjetërdy krerët shtetërorë të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, edhe në Berlin u shfaqën me deklarata të kundërta sa i përket çështjes së kufijve. Derisa presidenti pohoi se do të angazhohet për bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Kosovën, shefi i ekzekutivit tha se nuk do të lejohet lëvizja e kufijve.Ndërkohë nikoqirët e takimit, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron u bënë thirrje Kosovës e Serbisë që të angazhohen për një zgjidhje e cila nuk i dëmton vendet e rajonit. Një takim i radhës ku do t’i bëjë bashkë sërish Kosovën e Serbinë pritet të mbahet në Paris të Francës më 1 korrik të këtij viti.

Thaçi: Takimi i Berlinit, pa rezultate konkrete

Menjëherë pas përfundimit të Samitit të Berlinit u deklarua presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me ç’rast thase takimi në fjalëpërfundoi pa ndonjë rezultat konkret.

“Nuk mund të themi që ky takim ka pasur ndonjë rezultat konkret”, theksoi ai.

Thaçi më tej tha se Kosova nuk do të lejojë dialog të kushtëzuar nga Serbia. Si rrjedhojë, kreu i shtetit deklaroi se taksa duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi, pasi që është një vendim legjitim i Qeverisë së Kosovës. Një gjë të tillë kreu i shtetit nuk e kishte pohuar më herët, përkundrazi disa herë kishte kërkuar largimin e tarifës në fjalë.

“Vënia e taksës ka qenë vendim legjitim, ky vendim është i Qeverisë dhe mbështetet prej të gjithëve. Nuk do të ketë dialog të kushtëzuar, ne jemi ata që vendosim për të ardhmen.

Unë e ftova kancelaren Merkel dhe presidentin Macron që ta bindin Vuçiqin ta njohë Kosovën, u pa që ajo bindje mungonte. Prandaj, na mbetet të shohim për rrugët kreative në të ardhmen, vendimet tona autonome, sovrane, por taksa është legjitime, duhet të mbetet, nuk lejojmë dialog të kushtëzuar”, theksoi ai, teksa e cilësoi jo të lehtë takimin e djeshëm.

Më tej njoftoi se nëtakim është konfirmuar edhe një takim i radhës qëpritet tëmbahet në Paris më 1 korrik, me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron, përcjell gazeta “Zëri”.

Ndërkohë, i pyetur se cili ishte emëruesi i përbashkët në takim, Thaçi tha se emëruesi ishte se“u pajtuam që të mos pajtohemi”. Se nuk është arritur asgjë në takimin e djeshëm pohoi edhe presidenti serbAleksandar Vuçiq, i cili tha se nga takimi i Berlinit nuk është prodhuar asnjë lëvizje e re.

Zhgënjimi lidhur me liberalizimin e vizave

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se gjatë takimit të djeshëm në Berlin janë marrë lajme zhgënjyese për liberalizmin e vizave, pasi që sipas tij çështja e vizave ka hasur në një pozicion injorues.

“Çështja e liberalizimit të vizave ka qenë në një pozicion injorues dhe zhgjënjyes edhe në takimin e sotëm”, deklaroi ai.

Thaçi më tej pohoi se në takimin e djeshëm kishte paqartësi të dukshme rreth çështjes së vizave.

“Kemi theksuar shumë qartë që Kosovës i duhet patjetër vendimi për liberalizimin e vizave, sepse Kosova e meriton. Prandaj, nëse diçka e tillë nuk do të ndodhë në të ardhmen e afërt do të jetë zhgënjyese për qytetarët. Edhe sot kishte një paqartësi rreth kësaj”, potencoi ai.

Haradinaj: Kufijtë e rishkruar mundësojnë ndarjen etnike

i Kosovës, Ramush Haradinaj, përsëriti edhe në Samitin e Berlinit qëndrimin e tij sa i përket idesë për lëvizjen e kufijve, me ç’rast deklaroi se një gjë e tillë do të mundë të çonte drejt ndarjes etnike. Me këtë rastshefi i ekzekutivit tha se në kuadër të procesit të dialogut duhet të ndodhë njohja reciproke mes dy shteteve, pasi pa njohje sipas tij nuk mund të ketë progres.

“Njohja nënkupton respektimin permanent të kufijve ekzistues. Kufijtë e rishikuar do të mundësonin fillimin e një vale të re të ndarjes etnike dhe ndoshta edhe fillimin e dhunës.

Ne kemi nevojë për unitet, jo për ndarje. Ne kemi nevojë për të hapur kufijtë tanëdhe jo për të krijuar kufij të rinj”, theksoi ai.

Në fjalimin e mbajtur në takimin e Berlinit, ku morën pjesë liderët e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, Haradinaj po ashtu kërkoi që qytetarëve të Kosovës t’u jepet e drejta e lëvizjes.

“Ne nuk duam asgjë më shumë se të drejtat e njëjta siç i gëzojnë vendet tjera dhe kjo duhet të përfshijë liberalizimin e vizave. Ne dëshirojmë të pranojmë përgjegjësinë tonë të plotë si anëtare e Aleancës Perëndimore, në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne besojmë se është në interesin e të gjithëve që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë garantuese e zgjidhjes, së bashku me Bashkimin Evropian”, potencoi i pari i Qeverisë së Kosovës.

Thaçi: Demarkimi i kufirit Kosovë-Serbi, i pashmangshëm

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bëri të ditur mbrëmjen e djeshme se në darkën e organizuar në Berlin është diskutuar rreth çështjes së dialogut Kosovë-Serbi, respektivisht rreth pengesave me të cilat po ballafaqohet ky proces. Me këtë rastThaçi është deklaruar edhe rreth çështjes së kufijve, ku ka thënë se në rast të arritjes së një marrëveshjejebdemarkimi i kufirit Kosovë-Serbi është i pashmangshëm.

“Kurdo që arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisëdemarkimi i kufirit ndërmjet dy shteteve është i pashmangshëm. Sovraniteti shtetëror i Kosovës është dhe do të mbetet i pacenueshëm. Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të heqë dorë nga cenimi i sovranitetit tonë”, theksoi ai, teksa tha se pretendimet e disa shteteve të QUINT-it se gjoja po bëhen përpjekje për ndryshim kufijsh në vija etnikebjanë krejtësisht të pavërteta.

Po ashtu kreu i shtetit tha se Kosova në mënyrë të përgjegjshme dhe legjitime interesohet dhe përkrah aspiratat e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.

“Kosova në mënyrë të përgjegjshme dhe legjitime interesohet dhe përkrah aspiratat e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës. Kosova është e gatshme për marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë”, shtoi ai.

Megjithëkëtë, Thaçi siguroi që nuk do të ketë shkëmbim të terriotereve, ndonëse u zotua se do të angazhohet për bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës me territorin e Kosovës.

Merkel: Zgjidhja Kosovë-Serbi të mos e dëmtojë rajonin

Para se të niste takimi i djeshëmkancelarja gjermane Angela Merkel tha që zgjidhja përfundimtare mes Kosovës e Serbisë nuk duhet të bëhet në dëm të vendeve tjera të rajonit. Në një konferencë, të mbajtur bashkërisht me presidentin e Francës Emmanuel Macron, Merkel bëri të ditur se në kuadër të Samitit do të diskutoheshin hapur të gjitha sfidat.

Në anën tjetër presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi që që në kuadër të Samititdo të diskutohej për të gjitha opsionet sa i përket çështjes së dialogut mes Serbisë dhe Kosovës.

“Nuk e kemi për qëllim të imponojmë zgjidhje për Beogradin dhe Prishtinën. Ne dëshirojmë që të shqyrtojmë tëgjitha mundësitë, por edhe të shmangim tensionet e mundshme në rajon të cilat mund të ndodhin për shkak të opsioneve që janë në tryezë”, tha Macron.

Thaçi pas takimit me Mogherinin: BE-ja e dobët, s’ka dialog pa SHBA-në

Pas takimit të djeshëm të zhvilluar me ndërmjetësuesen e dialogutFederica Mogherini, para se të niste Samiti, Thaçi thase arritja e një marrëveshjeje finale Kosovë-Serbi do t’i sillte stabilitet rajonit.

“Për ne, fqinjët tanë dhe vetë Bashkimin Evropiannjë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është jetike që të ecim të gjithë përpara së bashku. Pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Maqedonisë Veriore dhe Greqisëkjo marrëveshje do t’i sillte edhe më shumë paqe e stabilitet rajonit dhe Evropës”, theksoi ai.

Me këtë rastThaçi tha se nuk mund të ketë dialog me Serbinë pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë, ndonëse BE-ja është duke e ndërmjetësuar dialogun tash e një dekadë, ai e cilësoi tejet të dobët Bashkimin Evropian.

“As dialog, as negociata nuk ka pa rolin e SHBA-së. BE-ja është shumë e dobët dhe jounike për t’i lëvizur çështjet e Ballkanit Perëndimor përpara. As dialog, as marrëveshje nuk mund të ketë pa SHBA-në”, potencoi i pari i shtetit.

Vuçiq pas takimit me Mogherinin: S’ka dialog pa u hequr taksa

Pas takimit me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq bëri të ditur se nuk ka ndërruar qëndrim sa i takon vazhdimit të dialogut.

“I thashë Mogherinit se nuk ka vazhdim të dialogut pa e hequr taksën”, u shprehVuçiq.

Mirëpo, presidenti i Kosovës tha se nëse Serbia nuk ndërron qasje, atëherë mund të ketë edhe masa të tjera karshi saj.

“Taksa është e drejtë e ligjshme, nëse Serbia vazhdon me veprime agresive ne vetëm sa do t’i shtojmë masat dhe do të shkojmë në nivel të reciprocitetit”, potencoi ai.

Haradinaj-ambasadorit amerikan: Shkëmbimi i territoreve destabilizon rajonin

Kreu i shtetit dhe shefi i ekzekutivit gjatë ditës së djeshme zhvilluan takim edhe me ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell. Me këtë rastThaçi tha se roli i SHBA-së do të jetë vendimtar për Kosovën në procesin e negociatave.

Ndërkaq kryeministri Ramush Haradinaj njoftoi se gjatë takimit me ambasadorin amerikan ka ritheksuar qëndrimin e Qeverisë kundër idesë për shkëmbim territoresh me Serbinë.

“Theksova gjithashtu se Qeveria e vendit kundërshton fuqishëm idenë e këmbimit të territoreve, duke e cilësuar si opsion të rrezikshëm dhe që do ta destabilizonte jo vetëm vendin, por edhe rajonin”, u shpreh ai.

Edhe Haradinaj, sikurse Thaçi, tha se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhvillimet politike të Kosovës është i domosdoshëm.

“Ambasadorit Grenell i tregova për progresin e arritur në vend në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit dhe për përkushtimin e Kosovës për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, gjithmonë në partneritet me aleatët tanë dhe me aspiratat tona për rrugën euroatlantike.

Roli i SHBA-së në proceset e mëtejme politike të vendit është i domosdoshëm”, nënvizoi ai.

Rama-Merkel, diskutim rreth integrimittë Shqipërisë në BE

Në kuadër të Samitit të Berlinit kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë ditës së djeshme zhvilloi një takim dypalësh me kancelaren gjermane Angela Merkel. Me këtë rast, siç ka njoftuar zyra për informim e kryeministrit Rama, në takim është diskutuar mbi ecurinë e reformës në drejtësi dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Kryeministri Rama foli edhe për pritshmëritë e qeverisë shqiptare për raportin e Komisionit Evropian që pritet të publikohet në fund të muajit maj. Kryeministri Rama e falenderoi kancelaren për vëmendjen e vazhdueshme dhe mbështetjen që Gjermania kë dhënë për ta shtyrë më tej rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian”, potencohet në njoftim.

Ndërkaq nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut kanë njoftuar se temë kryesore mes kancelares Merkel dhe kryeministrit maqedonas Zoran Zaev ka qenëMarrëveshja e Prespës, bashkëpunimi dhe paqja në rajon.

“Maqedonia e Veriut dhe Marrëveshja e Prespës janë shembull pozitiv i Ballkanit dhe ai sukses është inkurajim për të gjitha vendet pjesëmarrëse në Konferencën për Ballkanin Perëndimor. Kryeministri Zaev dhe kancelarja Merkel e cekën rëndësinë e përfitimeve ekonomike që i sjellë bashkëpunimi bilateral mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe potencuan se bashkëpunimet e tilla duhet të intensifikohen në tërë rajonin”, thuhet në komunikatë.

Komento: