Ka dhënë dorëheqje Kryeministri i Papua Guinesë, Peter O’Neill.
O’Neill, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij pasi shumë anëtarë të qeverisë kaluan në anën e opozitës. O’Neill, i cili e ka udhëhequr qeverinë në shtatë vjetët e fundit, është përballur me thirrje për dorëheqje për shkak të disa çështjeve.
Sidoqoftë, pas kalimit të shumë anëtarëve të qeverisë në anën e opozitës, ai e pranoi se nuk e gëzon më mbështetjen e duhur për të vazhduar si udhëheqës i qeverisë. O’Neill tha se do t’ia dorëzojë mandatin ish-kryeministrit Sir Julius Chan.
“Është e rëndësishme që të kemi stabilitet. I kemi dëgjuar thirrjet dhe jemi pajtuar për një ndryshim të qeverisë”, tha O’Neill para gazetarëve në kryeqytetin e vendit, Port Moresby.
Në anën tjetër, Sir Julius Chan tha se e dëshiron një tranzicion të butë të pushtetit për ta siguruar stabilitetin në vendin e Paqësorit Jugor, i cili ka rreth 7.3 milionë banorë.
“Dëshiroj ta falenderoj kryeministrin O’Neill për të gjitha që ka bërë për ta sjellë këtë vend këtu ku është sot”, tha Chan.
O’Neill është përballur me presion për disa çështje, përfshirë nënshkrimin e një projekti të gazit që kushton miliona dollarë, shkruan “BBC”.